Gasperini: Interi nuk ka asnjë projekt

17/10/2011 18:00

Ish-trajneri i Interit. Gasperini, rikthehet me akuza të ashpra kundër klubit dhe Moratit, pak javë pasi u shkarkua nga detyra e tij pas disa rezultateve të dobëta.

I ndodhur në Barcelonë, me ftesë të Guardiolës që i ka lejuar të jetë i pranishëm për një javë në stërvitje dhe në ambientet katalanase, Gasperini deklaroi: “Të gjithë i njohin idetë e mia për futbollin dhe gjithashtu skemat që kam përdorur gjithmonë. Nëse Moratti kishte ide të tjera nga të miat, atëherë nuk e kuptoi përse më zgjodhi.

Duhet thënë edhe që merkatoja nuk shkoi ashtu siç unë e prisja, pasi është e qartë që nuk besoja se do të largohej Eto’o. Kisha në mendje një sulm të përbërë nga kamerunasi, Pazzini dhe Palacio. Asnjëherë nuk pata kërkuar emra si Sanchez, Tevez apo Lavezzi, të cilët lakoheshin në shtyp”.

Në një intervistë telefonike nga Spanja me programin “Controcampo”, Gasperini shtoi: “Janë thënë shumë gënjeshtra në kurrizin tim dhe më e madhja është që Eto’o u largua pasi nuk shkonte mirë me mua. Gabimi më i rëndë i Moratti-t dhe Interit ishte që u përpoqën të bënin të gjithë të besonin se gabimi më i rëndë ishte mbrojtja treshe dhe që më të hequr dorë nga skemat e mia, gjithçka do të rregullohej. Me sa kam parë, nën drejtimin e Ranierit, nuk është se ka ndodhur ai rikthim i madh i pritur.

Që pa filluar kampionati, klubi gjithmonë më trajtonte në mënyrë të dyfishtë. U fol shumë kohë për projekt, por e vërteta është se Moratti nuk ka patur asnjë projekt të vërtetë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA