Casillas: Reali s’ka qenë kurrë më i fortë

17/10/2011 18:20

Portieri i Realit të Madridit dhe Spanjës, Iker Casillas, në një intervistë për të përditshmen “AS” siguroi se dëshira e Mourinhos për të fituar është më e madhe se kurrë, në të njëjtën kohë që u shpreh se Reali është në pozitat më të favorshme ndonjëherë, për të thyer hegjemoninë e Barcelonës.

”Mendoj se Mourinho është përfshirë me pa të drejtë në shumë skandale, pasi sa herë që ai e ka bërë këtë, pas tij kemi qenë edhe të gjithë ne të tjerët, futbollistët. Pasi mbetëm me dhjetë lojtarë në gjysmëfinalet e Champions dhe u eliminuam nga Barça, trajneri bëri atë sulm të ashpër verbal, për të cilin u bë përgjegjës, por në fakt, ai vetëm sa tregoi qëndrimin e përbashkët të të gjithë skuadrës”, u shpreh Casillas. “Kemi kaluar disa sezone të vështira, në të cilat na është dashur të perfeksionojmë edhe detajet, pasi vetëm kështu mund ta mposhtësh Barcelonën. Si kapiten dhe si një prej futbollistëve më të vjetër brenda skuadrës, ju siguroj vetëm që Reali nuk ka qenë kurrë më i fortë se në këtë sezon, ndërsa dëshira e Mourinhos dhe lojtarëve për të fituar, është më e madhe se kurrë”.

Një sondazh i publikuar së fundmi, zbuloi se Barcelona i ka rrëmbyer madrilenëve vendin si klubi më i pëlqyer në Spanjë, por për Casillas, diçka e tillë nuk është shqetësuese. “Tifozët asnjëanës ndikohen shumë nga fazat që krijojnë skuadrat. Përpara tetë vitesh, të gjithë ishin tifozë me Realin e galaktikëve, ndërsa tani të gjithë duket sikur janë bërë me Barçën”, tha portieri, i cili foli edhe për sfidën e ardhshme në Champions përballë Lionit.

”Nuk jemi nën presion, edhe pse e dimë që ndaj tyre na ka ecur shpesh keq. Megjithatë, nuk është fakti që luhet një ndeshje grupi që e redukton presionin, por vetësiguria që kemi fituar pasi avancuam deri në gjysmëfinale një vit më parë, ajo që na bën të jemi të sigurt për shanset tona për fitore”, përfundoi kapiteni.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA