Testin më të vështirë të saj kalon, qeveria greke në këtë javë që vjen, e cila konsiderohet edhe si  më e rëndësishmja, jo vetëm për fatet e Greqisë, por edhe për ato të Europës.

Ditën e enjte parlamenti grek do të votoje projektligjin që përfshin reduktimet gati në masën 50 % të rrogave, shkurtime të mëdha të mijëra vendeve të punës në aparatin shtetëror dhe sistemin e ri të taksave.

Projektligji konsiderohet si më i ashpri në Greqinë e pasluftës, jo vetëm nga sindikatat dhe partitë opozitare, por edhe nga vetë deputetët e partisë socialiste në fuqi.

Nëse nuk aprovohet, qeveria do të humbë votëbesimin dhe vendi do të shkojë tërësisht drejt falimentimit. Një “Jo” masive e grekëve ndaj masave, frikëson Europën, që sheh se zemërimi social ndodhet në pikën kulmore të tij dhe protestat do të përshkallëzohen deri ditën e enjte, me dy greva 48 orëshe të sektorit shtetëror dhe atij privat dhe dhjetëra të tjera gjatë gjithë javës nga sindikatat e ndryshme në vend.

Por edhe nëse aprovohet dhe Greqia merr këstin e radhës prej 8 miliard euro, specialistët vlerësojne se ato do të mjaftojnë vetëm për disa javë, përderisa kriza qysh prej një viti e gjysmë ende ngelet e pazgjidhur, pavarësisht paketës së ndihmës ekonomike nga BE dhe FMN.

“Nuk kam asnjë zgjidhje të menjëhershme për një jetë më të mirë sot”, pranon kryeministri Papandreu në një intervistë të gazetës “Proto Thema” të së dielës, ku përvec të tjerash zotohet që do të bëjë gjithcka që vendi të mos falimentojë.

“Jo vetëm që ne nuk jemi Anteu për të mbajtur në kurriz peshën e gjithë problemeve të Europës, por edhe Gjermania vetë nuk mund ta bëjë atë pa bashkëpunimin e të gjithëve”, ka deklaruar Papandreu duke paralajmëruar se nëse Europa në samitin e ardhshëm të saj pas disa ditësh nuk do të mund të zgjidhë problemet e saj, atehere pasojat do të jenë të paparashikueshme për të gjithë pjesëtarët e familjes europiane.

Greqi, doganierët sërish në grevë

Sindikata e Doganierëve dhe punonjësve të sektorit të financës në Greqi ka njoftuar për fillimin e një greve të re 24 orëshe të këtij sektori.

Sipas sindikatës, greva e radhës ka si kërkesë plotësimin e organikave boshe në gjithë doganat dhe zyrat e financës në vend.

Sindikalistët kanë njoftuar se do të bllokojnë tërësisht aktivitet doganore, cka do të mbyllë sërish edhe për 24 orët e ardhshme të gjitha pikat kufitare me Greqinë.

Kryesia e kësaj sindikate, njoftoi se në varësi të plotësimit ose jo të kërkesave të saj, do të shtyjë sërish grevën edhe për 48 orë të tjera, cka do të thotë se aktiviteti normal i doganave greke nuk do të nisë përpara orës 7 të mëngjesit të ditës së enjte.

Dy ditë më parë Gjykata e Athinës shpalli të paligjshme një grevë të punonjësve të doganave dhe i detyroi ata t’i kthehen punës deri në gjetjen e një arsyeje të re për të detyruar qeverinë e Jorgos Papandreut të tërhiqet nga plani i saj për reformë të thellë në këtë sektor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA