Vendimi i Kolegjeve të Bashkuara në Gjykatën e Lartë, duke e cilësuar të
vlefshëm mandatin e arrestimit lëshuar nga gjykata e krimeve të rënda
për Ilir Kumbaron nuk është gjë tjetër veçse një zhbllokim i procedurave
të ekstradimit në Londër.
Parashikohet që procedurat mund të zgjasin edhe të paktën gjashtë muaj deri në përfundimin e apeleve në Gjykatën e Lartë në Londër.
Por, cila është kronologjia e këtij rasti të bujshëm ekstradimi, i mbushur me një sërë komplikacionesh ligjore me qëllimin final bllokimin e ekstradimit.
Prokuroria e Krimeve të Rënda e akuzon Ilir Kumbaron se në kohën kur ishte drejtor i drejtorisë së parë për SHIK-un në Tiranë, më 24 Shtator 1995 deri më 17 Tetor 1995, rrëmbeu për qëllimin e marrjes në pyetje te Ziro Kristopulit, Avdyl Loshajt dhe Remzi Hoxhës, ky i fundit i vrarë e më pas zhdukur.
Kumbaro iku në Londër në vitin 1996 duke kërkuar azil me dokumentat me emrin e rremë Shaqa Shatri, i cili rezultoi të ishte një burrë i varfër nga Prizreni. Pas vitit 1997 drejtësia hap një proces për zhdukjen e Remzi Hoxhës dhe në 2008 Gjykata e Krimeve të Rënda lëshon një mandat ndërkombetar arresti për Kumabron.
Pas arrestimit në 2008, Kumbaro u mbrojt para gjykatës duke thënë se ai ishte Shaqa Shatri. Më 24 Mars 2009 gjykata e ekstradimeve pranon kërkesën e drejtësisë shqiptare duke konkluduar se personi ishte Ilir Kumbaro.
Avokatët e Kumbaros e apeluan vendimin në Gjykatën e Lartë në Londër, e cila më 2 Dhjetor 2009 jep vendimin se mandate-arrestit të lëshuar më 2004 i kishte mbaruar afati.
Ilir Kumbaro fiton lirinë përkohësisht, por me pasaportën britanike të bllokuar nga Scotland Yard.
Dy javë më vonë, Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë lëshon një tjetër mandate-arresti dërguar SOCA-s, Agjencisë Britanike të Luftës kundër Krimit të Organizuar, që koordinon ekstradimet.
Kjo fletë arresti do të ekzekutohej nga skuadara e ekstradimeve më 15 Dhjetor 2009.
Avokatët e Kumbaros në Londër nisin të tjera përpjekje për të bllokuar përsëri ekstradimin duke u ardhur në ndihmë një kompani avokatore në Tiranë.
Avokatët në Tiranë i kërkojnë Kolegjeve të Bashkuara nëse fletëarresti ishte në përputhje me ligjin për sa i përket afateve dhe kompetencës së Gjykatës së Krimeve të Rënda për ta lëshuar.
Që prej arrestimit të dytë, Kumbaro në të gjitha seancat gjyqësore ka mbajtrur një qëndrim stoik duke deklaruar se ai është Shaqa Shatri.
Gjykata britanike nuk ka më dyshime se Shaqa Shatri është Ilir Kumabro, por priste dritën jeshile nga Gjykata e Lartë e Shqipërisë.
Top Channel