Vetëm disa orë pasi Shtëpia e Bardhë ka njoftuar për vizitën zyrtare të zv/presidentit amerikan, Joe Biden në Athinë në fillim të dhjetorit edhe Kremlini ka nxjerrë një deklaratë për një vizitë të presidentit rus, Dmitri Medvedev në kryeqytetin grek.
Megjithëse nuk është përcaktuar ende data e mbërritjes dhe hollësi të axhendës së takimeve të tij, shtypi grek shkruan se tashmë është mëse e qartë përse udhëheqës të shteteve më të fuqishme të botës kërkojnë të vizitojnë Greqinë.
Burime diplomatike greke janë shprehur se në qendër të takimeve dhe bisedimeve të udhëheqësit rus do të jetë përvec problemit të krizës greke edhe nënshkrimi i një sërë marrëveshjesh në fushën e investimeve ekonomike.
Ashtu si SHBA dhe Rusia kanë shprehur vërejtjet e tyre ndaj udheheqësve europianë në favor të një zgjidhjeje sa më të shpejtë të krizës greke, por paralelisht janë tepër të interesuara për investime duke përfituar nga situata favorizuese në vend dhe për më tepër nga privatizmet e shumta që do të fillojnë në ditët dhe javët e ardhshme në Greqi me cmime tepër konkuruese.
Shtypi grek komenton se është dicka e rrallë, që brenda një muaji është nënshkruar një marrëveshje ekonomike midis Greqisë dhe Katarit për hapjen një miniere të madhe ari në zonën e Halkidhikisë, zv.kancelari gjerman Resler ka vizituar Athinën me një grup prej 70 investitorësh, Uashingtoni ka komunikuar vizitën e zv.presidentin amerikan, ndërsa Kremlini atë të presidentit rus.
Mbi të gjitha konkurenca ruso-amerikane ka të bëjë me faktin se kush do të dominojë në investimet e sektorit të energjitikës për arsye të pozicionin gjeostrategjik të vendit si dhe të rezervave natyrore në gaz apo në hiodrokarbure, kërkimi i të cilave ka filluar tashmë në detin Jon dhe detin Egje.
Top Channel