Gjatë paraqitjes së tij në prokurori, deputeti Fatmir Limaj është marrë në pyetje lidhur me cështje financiare që kanë të bëjnë me kohën kur ai ka qenë i burgosur në Hagë.
Kështu bën të ditur e përditshmja kosovare “Zëri”, sipas të cilës Limaj është pyetur mbi mënyrën e financimit të mbrojtjes ligjore, qarkullimin e parave, si dhe për deklarimin e pasurisë.
Burime nga prokuroria, të cilave u referohet gazeta, kanë deklaruar se vetëm ditën e katërt kur është paraqitur në prokurori, Limaj është pyetur lidhur me menaxhimin e Ministrisë së Transporteve.
Në këtë drejtim, për shtatë orë e gjysmë Limaj ka folur për organizimin e ministrisë, mënyrën e funksionimit të saj, si dhe për ndarjen dhe menaxhimin e buxhetit.
Por mësohet se nga deklaratat e Limaj, prokurorët nuk kanë konstatuar asgjë që mund të përforcojë akuzën e ngritur ndaj tij për korrupsion.
“Mbetet vetëm që prokurori të vlerësojë nëse ka nevojë që Limaj të thirret sërish në prokurori për t’u marrë në pyetje, pasi të bëhet analiza e materialeve të mbledhura deri tani”, ka deklaruar avokati i tij, Tahir Rrecaj.
Limaj u paraqit në prokurori vetëm pak kohë pasi Gjykata Kushtetuese deklaroi se deputetët nuk kanë imunitet për vepra të cilat dyshohet se i kanë kryer jashtë fushëveprimtarisë së tyre si deputetë.
Ai dyshohet për përfshirje në një masakër ndaj popullsisë serbe në fshatin Kleckë, në vitin 1999, kur njihej me pseudonimin Komandant Celiku.
Akuza ndaj tij dhe nëntë ish-luftëtarëve të UCK-së, të dyshuar për përfshirje në të njëjtën ngjarje, u konfirmua në fillim të shtatorit.
Vetë nënkryetari i PDK-së është në arrest shtëpie, pas vendimit të gjykatës më 22 shtator, ndërkohë që 9 të pandehurit e tjerë janë disa në paraburgim dhe disa gjithashtu në arrest shtëpiak.
Top Channel