Bisedimet për cështjet teknike mes Kosovës dhe Serbisë mund të rifillojnë muajin e ardhshëm.
Lajmin e ka bërë të ditur negociatorja kosovare Edita Tahiri, e cila ka nënvizuar se gjithcka varet nga presioni i Brukselit ndaj Beogradit.
Sipas Tahirit, delegacioni kosovar pret që gjatë dialogut të hapen edhe tema të tjera jopolitike, pasi të jenë diskutuar ato për energjinë, telekomunikacionin dhe bashkëpunimin rajonal.
Shefja e delegacionit kosovar ka saktësuar se temat në fjalë pritet të jenë transporti tokësor dhe ajror, si dhe kthimi i pensioneve të qytetarëve të Kosovës të pensionuar në Serbi, kursimet bankare, dëmshpërblimet e luftës, të pagjeturit, etj.
Tahiri ka shtuar se Prishtina zyrtare pret që diplomacia evropiane të bindë palën serbe se në dialog nuk do të ketë asnjëherë tema të karakterit politik.
Raundi i dialogut i parashikuar për më 27 dhe 28 shtator dështoi për shkak të insistimit të Serbisë për të diskutuar për situatën në veri të Kosovës.
Ndërmjetësi i BE, Robert Cooper në Beograd, në vizitën e fundit në Beograd nuk arriti të bindte palën serbe që të rifillonte bisedimet.
Ndërsa gjatë vizitës në Prishtinë, ai mori mesazhin se pala kosovare është e gatshme të vazhdojë dialogun për cështje teknike dhe vetëm si dy shtete të pavarura.
Nga ana tjetër, Beogradi kërkon që Brukseli të ushtrojë presion ndaj palës kosovare dhe asaj amerikane në Prishtinë, në mënyrë që në tryezën e bisedimeve të shtrohen edhe cështje politike.
Top Channel