Lewis Hamilton do të niset i pari në garën e nesërme në Korenë e Jugut, pasi regjistroi kohën më të shpejtë gjatë provave zyrtare të zhvilluar në mëngjesin e sotëm.
Arritja e pilotit të McLaren është edhe më domedhënëse duke marrë parasysh se në këtë sezon, kishte qenë gjithmonë një makinë Red Bull ajo që kishte fituar “pole-position”.
Vettel, kampioni i saposhpallur i botës dhe i nisur në 12 prej 15 garave të zhvilluara deri tani nga vend ii parë, do të startojë menjëherë pas britanikut, në radhën e parë.
Linja e dytë e nisjes do të jetë sërisht e përbërë nga McLaren-Red Bull, me Jenson Button dhe Mark Webber, që do të nisen i treti dhe i katërti, përkatësisht.
Ndërkohë, Ferrari vazhdon paraqitjet e dobëta, me Massën dhe Alonson që arrijnë të regjistrojnë vetëm kohën e pestë dhe të gjashtë më të shpejtë gjatë provave zyrtare. Shtatë herë kampioni i botës, Micheal Schumaker, arriti me Mercedesin e tij vetëm vendin e 12.
Garën mund ta ndiqni nesër duke nisur nga ora 8:00, eksluzivisht në ekranin e “Top Channel”.
Top Channel