Presidenti serb, Boris Tadic ka deklaruar sërish se Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën, duke nënvizuar se ajo është një cështje që duhet të zgjidhjet përmes negociatave.
“Serbia është e angazhuar që të gjitha cështjet t’i zgjidhë në atë mënyrë që do të mundësonte një zgjidhje të përhershme dhe paqe të qëndrueshme”, ka deklaruar Tadic.
Duke folur në një eveniment të mbajtur në Beograd, presidenti ka theksuar se, nuk ka zgjidhje të lehtë për cështjen e Kosovës dhe se për këtë të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm.
“Zgjidhja e ardhshme për Kosovën duhet të përfshijë katër elementë: zgjidhjen për veriun, garancitë për serbët në enklava, mbrojtjen për trashëgiminë kulturore dhe zgjidhjen e cështjes së pronave të Serbisë dhe serbëve në Kosovë”, ka nënvizuar Tadic.
Presidenti ka rikujtuar se në raundet e para të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit janë arritur rezultate konkrete dhe pozitive, ndryshe nga zgjidhjet e njëanshme që sipas tij janë joproduktive dhe nuk sjellin rezultate.
Deklarata e Tadic vjen në një moment kur përflitet se njohja e Kosovës do të jetë kusht për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.
Edhe komisioneri për Zgjerimin, Shtefan Fyle deklaroi sot në një takim me anëtarë të qeverisë serbe, se data për nisjen e negociatave të anëtarësimit do të caktohet menjëherë sapo të normalizohen raportet me Kosovën.
Top Channel