Serbët kanë shtuar barrikadat edhe pas ultimatumit të dhënë nga KFOR-i, se ato duhet të hiqen gjatë fundjavës. 

Disa konteinerë janë vendosur paraditen e së premtes në rrugën në drejtim të lagjes “Kodra e Minatorëve”, ku banojnë kryesisht shqiptarë.

Në këtë mënyre serbët bllokojnë qarkullimin e tyre duke bërë të pamundur komunikimin me pjesën jugore të qytetit.

Policia e Kosovës konfirmoi vendosjen e barrikadave të reja në rrugën në fjalë, ndërkohë që situata në rrugët e tjera vazhdon sic ka qenë.

Pas KFOR-it edhe EULEX-i ka ftuar serbët që të heqin barrikadat, sepse kjo është në të mirën e të gjitha komuniteteve. Zyrtarët e EULEX-it kanë përsëritur se nga këto barrikada më së shumti pëson popullata lokale.

Ndërsa sa i përket ndonjë aksioni për largimin e tyre, të gjitha opsionet vazhdojnë të mbeten të hapura.

Barrikada në Kroin e Vitakut

Ekstremistët serbë kanë vendosur barrikada të tjera edhe në lagjen Kroi i Vitakut në veri të Mitrovicës.

Ata kanë shkarkuar zhavorr nëpër disa pika të kësaj lagje, me qëllim kontrollin e lëvizjes së automjeteve të EULEX-it dhe të KFOR-it.

Rruga në të cilën janë vënë barrikadat çon nga Kroi i Vitakut në drejtim të Kodrës së Minatorëve dhe Zvecanit.

Irinej: Serbët të mos i lëvizin barrikadat

Kreu i Kishës Ortodokse Serbe, patriarku Irinej, u bëri thirrje serbëve të veriut të Kosovës që të mos i heqin barrikadat rrugore të vendosura në veri të Mitrovicës.

“Le të bëhet stuhi derisa të fuqishmit të kuptojnë se serbët po mbrojnë tokën e tyre dhe se barrikadat janë mbi tokën e tyre për t’i mbrojtur shtëpitë e tyre, në të cilat kanë jetuar për shekuj me radhë”, tha Irinej në Patriarkën e Pejës.

Serbët: Nuk i heqim barrikadat

Përfaqësuesit e strukturave paralele në veri të Kosovës kanë deklaruar se barrikadat kryesore nuk do të largohen nga rrugët derisa të mos gjendet “një zgjidhje” për vendkalimet kufitare Jarinje dhe Bërnjak.

Ata kanë thënë se në takim me përfaqësuesit e KFOR-it nuk kanë marrë kurrfarë afati për heqjen e barrikadave deri në fund të kësaj jave dhe po punojnë për qetesimin e gjendjes në terren”.

Kryetari paralel i komunës së Zveçanit, Dragisha Millovic, ben te ditur Telegraf, ka thënë se largimi i disa barrikadave nuk do të thotë se serbët e rebeluar do të largojnë edhe barrikadat kryesore, derisa të mos gjendet një “zgjidhje kompromisi për problemet në veri të Kosovës”.

Ndërsa, kryetari paralel i Mitrovicës, Krstimir Pantic ka deklaruar se ekzistojnë disa opsione nëse KFOR-i do të tentojë që të largojë barrikadat.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA