Gjykata e Lartë lë në burg Ilir Kumbaron

14/10/2011 18:10

Gjykata e Lartë ka rikonfirmuar të premten masën e burgimit për ish-shefin e SHIK-ut, Ilir Kumbaro.

Vendimi i Kolegjit të Bashkuar i hap rrugë kështu prokurorisë për të kërkuar ekstradimin e tij.

Organi i akuzës do t’i kërkojë drejtësisë britanike ekstradimin e Kumbaros, i cili akuzohet për përfshirje në rrëmbimin dhe zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha.

Vendimi vjen pak ditë pasi familja e bizmesmenit shqiptar nga Maqedonia kërkoi nga drejtësia shqiptare ekstradimin e Kumbaros.

Apeli u bë nga djali i Remzi Hoxhës pikërisht në prag të vendimit të Gjykatës së Lartë.

“Sot jemi këtu për të kërkuar nga drejtësia shqiptare që të vendosë për të drejtën, duke urdhëruar ekstradimin e Ilir Kumbaros për në Shqipëri”, deklaroi Ardian Hoxha.

“Drejtësia shqiptare të na dëshmojë se Shqipëria ka drejtësi. Të na dëshmojë se në Shqipëri mund të jetohet. Të na dëshmojë se Shqipëria nuk i zhduk dhe vret më shqiptarët nga Maqedonia dhe Kosova”, shtoi ai.

Ardian Hoxha rikujtoi emrat edhe të 3 të akuzuarve të tjerë përvec Kumbaros, që janë Arben Sefgjini, Budion Mece dhe Avni Koldashi.

Ai tha se avokatët e Ilir Kumbaros, me përkrahjen e individëve të caktuar të qeverisë, janë të interesuar që të vonojnë edhe më tej ekstradimin e tij.

“E vërteta shumë shpejt do të dalë. Eshtë duke vazhduar procesi gjyqësor dhe ka dëshmi të gjalla të cilat janë të deponuara në prokurori që dëshmojnë se njerëzit që në atë kohë, në vitin 95, që kanë qenë në pushtet, e që janë edhe sot në pushtet, janë të përfshirë prej kokës e poshtë në këtë ngjarje”, tha Hoxha.

Më 21 tetor, kur bëhen 16 vjet nga zhdukja e Remzi Hoxhës, familjarët e tij do të organizojnë një protestë para ambasadës britanike në Prishtinë, ku do të bëhet thirrje që Kumbaro të ekstradohet në Shqipëri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA