Komisari Evropian, Shtefan Fyle, pas takimit me zyrtarët e Qeverisë së
Serbisë, ka thënë se Bashkimi Evropian ka qenë i lumtur për rekomandimin
për statusin e kandidatit për Serbinë.
Por, data e bisedimeve nuk do të merret në dhjetor. Komisioni Evropian, ka thënë ai, do të rekomandojë menjëherë që Serbisë t’i jepet data e fillimit të bisedimeve për integrim, në rast se shihet një progres thelbësorë në marrëdhëniet me Kosovën.
“Nuk janë shtatë kushte, nuk janë dymbëdhjetë. Është vetëm një kusht që ne mendojmë se mund të realizohet. Mendimi ynë ka qenë transparent, pa kushte të reja, i arritshëm dhe po dërgojmë sinjale të qarta. Nuk ka nevojë të pritet dhe një vit, topi është tek ju”, ka thënë Fyle, pas një konference me kryeministrin serb, Mirko Cvetkoviq. Kryeministri serb ka thënë se Serbia është duke punuar në përmirësimin e marrëdhënieve me Kosovën, por në bazë të kushtetutës së Serbisë.
“BE-ja është përkushtim strategjik i Serbisë për jetë më të mirë”, ka thënë ai. Fyle, gjatë qëndrimit të tij në Beograd, pas Malit të Zi, merr pjesë edhe në hapjen e takimit të Nismës Igman, ku marrin pjesë presidenti serb, Boris Tadic, presidentët e Malit të Zi, Kroacisë, Bosnjës dhe përfaqësues tjerë politikë të vendeve të rajonit.
Top Channel