Kryeministri i Kosovës Hashim Thaci mirëpriti publikimin e raport-progresit të Komisionit Evropian, duke e vlerwsuar si një lajm të mirë dhe një sukses për Kosovën vendimin për nisjen e dialogut për liberalizimin e vizave.
“Është një lajm i mirë, sukses i shtetit të ri të Kosovës dhe konkretisht fillimi i perspektivës evropiane me hapa konkretë”, deklaroi Thaci.
“Kjo është meritë e vizionit tonë evropian për ndërtimin e Kosovës së re, demokratike dhe evropiane”, tha Thaci në mbledhjen e qeverisë.
Kryeministri u zotua për përmbushjen e shpejtë të kushteve për heqjen e regjimit të vizave për Kosovën, i vetmi vend në Ballkan për të cilin vlen ky regjim.
“Qeveria është e vendosur që të vazhdojë edhe më fuqishëm përmbushjen në një kohë rekord të të gjitha parakushteve në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave”, tha kreu i ekzekutivit kosovar.
Ai u zotua edhe për adresimin e sfidave që dalin nga raport-progresi, si reforma zgjedhore apo sundimi i ligjit.
Më tej Thaci bëri të ditur se brenda vitit do të themelohet një Këshill Kombëtar për Integrime Evropiane, i cili do të hartojë një strategji afatgjatë për proceset integruese.
Sipas progres-raportit të Komisionit Evropian, bisedimet mes Brukselit dhe Prishtinës për liberalizimin e vizave me vendet e BE do të nisin nga fundi i vitit.
Top Channel