SHBA, miratohet pakti tregtar me Korenë

13/10/2011 00:00

Ligjvënësit amerikanë kanë miratuar një marrëveshje për tregtinë e lirë, e shtyrë për shumë kohë, me Korenë e Jugut.

Të dyja dhomat e Kongresit votuan me shpejtësi të mërkurën për të miratuar marrëveshjen, si dhe paktet me Panamanë dhe Kolumbinë.

Tani i takon presidentit Barack Obama që ta nënshkruajë marrëveshjen, që konsiderohet si më e rëndësishmja në 16 vitet e fundit.

Marrëveshja pritet të rrisë eksportet e Shteteve të Bashkuara në ekonominë aziatike, me vlerë 10 miliardë dollarë.

Pakti për tregtinë e lirë me Korenë e Jugut është më i madhi në këtë sektor që SHBA ka nënshkruar që prej vitit 1994. Gjithësesi, ajo duhet të miratohet edhe nga Parlamenti i Seulit.

Presidenti Obama tha se marrëveshjet me Korenë, Panamanë dhe Kolumbinë janë një fitore për punëtorët amerikanë dhe bizneset.

“Votimi i sotëm, me mbështetje dypartiake, do të nxisë jashtëzakonisht eksportet që mbajnë markën krenare “Made in America”. Ai do të favorizojë krijimin e dhjetëra mijëra vendeve të punës dhe do të mbrojë të drejtat e punëtorëve, mjedisin dhe pronën intelektuale”, deklaroi Obama.

Administrata amerikane thotë se vetëm pakti do të krijojë 70 mijë vende pune për amerikanët. Vitin e kaluar tregtia mes SHBA dhe Koresë së Jugut kapi shifrën e 80 miliardë dollarëve.

Vendi aziatik është partneri i shtatë kryesor i Shteteve të Bashkuara. Votimi përkoi me mbërritjen e presidentit koreano-jugor Lee Myung Bak në Uashington për një vizitë zyrtare.

Top Channel