Tetë persona janë qëlluar për vdekje në një sallon bukurie në Los Anxhelos të Shteteve të Bashkuara.
Shkëmbimi i zjarrit ndodhi në qytezën Sill Bic të Kalifornisë, në një zonë që shtrihet përgjatë Autostradës së Bregut të Paqësorit.
Fillimisht u raportua për gjashtë persona të vdekur, por dy personat të tjerë ndërruan jetë më vonë për shkak të plagëve të marra. Ndërsa një tjetër vazhdon të jetë në gjendje kritike në një nga spitalet e Kalifornisë.
Policia deklaron ndërkohë se ka ndaluar një të dyshuar dhe se ka sekuestruar një numër të madh armësh zjarri.
Rreshteri i policisë lokale, Steve Bowles deklaroi se personi i dyshuar u arrestua teksa përpiqej të largohej nga skena e krimit me një automjet.
Zyrtari nuk konfirmoi lajmet e publikuara në media se personi në fjalë mbante të veshur një jelek anti-plumb në momentin e të shtënave, por saktësoi se ai është shprehur i hapur për të bashkëpunuar me autoritetet.
“Ai u tregua bashkëpunues dhe nuk bëri rezistencë ndaj oficerëve tanë kur u ndalua. Kemi besimin se ai është i vetmi i dyshuar për ngjarjen”, deklaroi Bowles. Ai shtoi se në momentin e të shtënave salloni ishte i mbushur plot me njerëz.
Motivi i sulmit është ende i paqartë, por mediat amerikane flasin për cështje personale, pasi i dyshuari është ish-bashkëshorti i një prej stilisteve.
Top Channel