Japoni, vatër radioaktiviteti në Tokio

13/10/2011 00:00

Nivele të larta radioaktiviteti janë zbuluar në një zonë të banuar të Tokios, njoftojnë autoritetet japoneze.

Vatra radioaktive është zbuluar në lagjen Setagaia, që ndodhet rreth 200 kilometra larg impiantit bërthamor të Fukushimës, që u dëmtua rëndë nga tsunami i 11 marsit.

Autoritetet lokale janë tepër të shqetësuara lidhur me efektet e mundshme të përhapjes së radioaktivitetit, i cili është më i lartë se niveli i konstatuar në zonat e evakuimit përreth Fukushimës.

Rrezatimet u zbuluan në një trotuar në lagjen Setagaia, në një lartësi prej 1 metër, pasi një banor i shqetësuar njoftoi autoritetet.

Trotuari ku u bë zbulimi përdoret rregullisht nga fëmijët që shkojnë në shkollë, bën të ditur agjencia e lajmeve “Kyodo News”.

Zona të tjera të trotuarit ishin të paprekura. Zona u rrethua në kuadër të masave, por zyrtarët lokalë deklaruan më vonë se nuk ka rrezik për shëndetin.

“Rrezatimet u zbuluan në një sipërfaqe shumë të vogël dhe ne do të marrim masa për të zgjidhur shqetësimet e qytetarëve”, deklaroi një zëdhënës i lagjes Setagaia, Michio Hirasawa.

Aktualisht po kryhen hetime për të përcaktuar llojin e materialit radioaktiv dhe mënyrën se si ai ka mbërritur në trotuar.

Kryetari i njësisë bashkiake të Setagaias, Nobuto Hosaka tha se pastrimi i trotuarit me ujë nuk e ka hequr plotësisht rrezatimin, por shtoi se tani trotuari është më i sigurtë për qytetarët.

Top Channel