Akuzat e ngritura në një Gjykatë Franceze për abuzim seksual ndaj ish-kreut të FMN-së dhe ish-kandidatit potencial për President të Francës, Strauss-Kahn, u tërhoqën pasditen e sotme.
Në dhënien e vendimit, trupi gjykues u shpreh se ndërsa ekzistonin prova për një aktivitet seksual të të pandehurit, nuk kishte asnjë fakt që të vërtetonte se marrëdhënia kishte qenë e padëshiruar nga partnerja e tij.
Akuzuesja e njeriut politik ishte shkrimtarja franceze, Tristane Banon. Sipas saj, ai u përpoq ta përdhunonte në vitin 2003.
Padia u ngrit prej saj ndërsa Strauss-Kahn u vendos në qendër të “syrit të ciklonit”, kur u akuzua për përdhunimin e një punonjëse hoteli në Nju Jork, çështje e cila gjithashtu u tërhoq më vonë.
Sipas mbështetësve të Strauss-Kahn, sulmet janë orkestruar nga Presidenti aktual i Francës, Nicolas Sarkozy, për të shkatërruar reputacionin e tij, duke e penguar që të kandidonte në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.
Sondazhet e kryera në Francë tregonin se ndërsa përballë një kandidati tjetër, Sarkozy do të kishte shanse më të mira ose pak a shumë të barabarta për të fituar, ndaj ish-kreut të FMN-së e kishte humbjen pothuajse të sigurt.
Zgjedhjet në Francë zhvillohen me dy raunde. Në të parin, të gjithë partitë janë të lira të paraqesin kandatët e tyre presidencialë. Ata që mbledhin më shumë vota shkojnë në raundin e dytë, ku fituesi zgjidhet president.
Top Channel