Një i ri 33-vjecar ka humbur jetën pasi është qëlluar me armë zjarri në një qendër interneti, në qytetin e Beratit.
Mësohet se shtetasi Klodian Lumani ka ndërruar jetë në spital mëngjesin e sotëm, pasi është qëlluar mbrëmjen e së mërkurës.
Sipas autoriteteve lokale, 33-vjecari është qëlluar me kallashnikov teksa dilte nga qendra e internetit.
Burimet shtojnë se policia ka nisur hetimet dhe deri tani në komisariat agjentët e anti-krimit kanë shoqëruar 10 persona për t’i marrë në pyetje.
Vrasje në Tiranë
Një ngjarje analoge u regjistrua po të mërkurën në Tiranë, ku dy vëllezër u qëlluan me armë zjarri nga komshiu i tyre në rrugën Don Bosko. Nga të shtënat njëri prej vëllezërve humbi jetën.
Shtetasit Edmond dhe Ardian Salibasha u qëlluan me armë zjarri pas një përleshjeje me fqinjin e tyre. Ngjarja e rëndë u regjistrua rreth orës 18 e 15 minuta. Një prej plumbave të qëlluar e preku një prej vëllezërve në zemër.
Të dy vëllezërit u transportuan në spital, por njëri prej tyre, Edmondi, që kishte plagë më të rëndë, ndërroi jetë.
Autori i dyshuar i vrasjes, që banonte një kat më sipër, u largua nga vendi i krimit. Shkak kanë qenë konfliket e vazhdueshme me njëri-tjetrin për shkak të një borxhi të papaguar.
Top Channel