Është një skuadër që nuk fiton që prej 110 ndeshjesh zyrtare, që pëson më shumë se pesë gola për ndeshje dhe që nuk shënon pothuajse kurrë. Kjo skuadër quhet San Marino.
Vendi i vogël europian, asnjëherë nuk ka patur një kombëtare të fortë, por këtë herë, me dobësinë e saj, shteti i ndodhur si një ishull brenda Italisë është duke u futur në Librin e Rekordeve.
Ditën e martë, në humbjen 4-0 në Moldavi, një futbollist i San Marinos shënoi për herë të parë që prej vitit 2008… por këtë e bëri në portën e tij. Goli i fundit i vërtetë është shënuar në humbjen 3-1 ndaj Sllovakisë, në kualifikueset e Botërorit të Afrikës së Jugut.
Që prej atij goli, skuadra amatore është “zhdëpur” 11-0 nga Holanda, 10-0 nga Polonia, 8-0 nga Finlanda e Hungaria dhe ka pësuar goleada të gjithë kombëtaret e tjera, që kanë patur fatin të kryqëzohen me të.
Ajo që befason më shumë, edhe më shumë se bilanci i 18 humbjeve radhazi në kualifiuese, është golavarazhi historik me asnjë gol të shënuar dhe 95 të pësuar, në dy fazat e fundit kualifikuese.
Një fitore, edhe ajo e vetmja në histori, ka ndodhur përballë Lihtenshteinit në vitin 2004, rezultat historik dhe i ardhur në mënyrë aksidentale, me një gol të çuditshëm të shënuar në fund me një goditje dënimi. Ndërsa gjëja e dytë që mbajnë mend në San Marino si një arritje historike, është shënimi i një goli ndaj Anglisë, në humbjen 7-1 të ndodhur në vitin 1993.
Në San Marino, me shaka thonë se e vetmja mënyrë që skuadra të fitojë ndonjë ndeshje, është ta ballafaqojnë atë me shtetin tjetër të pavarur brenda Italisë, Vatikanin. Megjithatë, përsa kohë Papa dhe kardinalët e tij nuk do të duan të luajnë futboll, San Marino do të vazhdojë të mbetet i pozicionuar i fundit në renditjen e FIFA-s për skuadrat kombëtare.
Top Channel