Ndalesën e parë me dosjen e progres-raportit, ku dominojnë fjalët “ngërc politik”, “progres i limituar” apo “pak progres”, kreu i prezencës së BE në Tiranë, Ettore Sequi ia paraqiti kryeministrit Sali Berisha.
Në një dalje përpara medias ata kanë përcjellë këto deklarata:
“Progres-raporti është një mjet i rëndësishëm dhe na jep një panoramë të gjëndjes se ku ne jemi sot dhe tregon rrugën që duhet ndjekur për një progres të proceseve integruese. Kryeministri më shprehu vendosmërinë e qeverisë për të vazhduar punën në vënien në zbatim të prioriteteve kyce të nxjerra në opinionin e Komisionit Europian. Ne besojmë që rruga e integrimit europian është dhe duhet të jetë një objektiv mbarë kombëtar”, ka deklaruar Sequi.
“Nuk e kam lexuar raportin, por e garantoj ambasadorin se ai përbën një program të vërtetë pune përsa u përket reformave. Për Shqipërinë vendimi vjen negativ për statusin. Disa nga kërkesat kanë avancuar, ndërsa një pjesë e tyre kanë mbetur në vend. Është një traditë fatkeqe që problemet i shohim tek të tjerët dhe jo tek vetja. Problemet janë tek vetja jonë, sepse në asnjë vend nuk ka politikanë që nuk votojnë ligjet për integrimin”, ka thënë më pas kryeministri Berisha.
Pasi e përcolli ambasadorin Sequi për shkak të disa impenjimeve të tjera, Berisha pranoi se refuzimi i dytë ishte një dështim, por nuk shprehu përgjegjësitë e mazhorancës në këtë dështim të dytë me integrimin. Ai u ndal gjatë në analizimin e opozitës.
“Jam i gatshëm që nesër ta adresojmë reformën, por rivali im më propozon një skemë qesharake. Më propozon një tryezë me konsensus, por kur të ketë të drejtë të veprojë pa konsensus. Unë i them dakord, harto amendamentet dhe silli t’i votojmë. T’i hartojmë ato me ndërkombëtarët. Por kurr, asnjë shumicë nuk mund të poshtërohet. Mbetem i hapur për dialog”, u shpreh Berisha.
Berisha komentoi edhe propozimet e opozitës, duke u shprehur se është i gatshëm për dialog.
“Nëse zoti Rama do t’i hartojë të gjita amendamentet, le t’i dërgojë në Komisionin e Venecias dhe unë i votoj në Parlament. Për rregulloren të ulemi, të marrim shembullin e Parlamentit Evropian dhe të ulen me ekspertët tanë për ta hartuar nen për nen. Por ai e ka hallin të marrë pushtetin në tavolinë. Kërkesat ia dërgon zotit Topi, që të bëjë atë që thotë zoti Rama. Topi është president, por shumica përfaqëson vullnetin e shqiptarëve”, theksoi Berisha.
Kryeministri nënvizoi disa herë se cështjen e integrimit do ta zgjidhin shqiptarët, por nuk ka sqaruar rrugët apo platformat për arritjen e këtij synimi.
Ambasadori Sequi ka vijuar në mbrëmje me dorëzimin e raportit presidentit Bamir Topi, i sapokthyer nga vizita në Turqi, ministrit të Punëve të Jashtme Edomond Haxhinsato dhe shefit të opozitës Edi Rama.
Top Channel