Komisioni Evropian ka konfirmuar sot për të tretën herë rekomandimin për fillimin e negociatave për anëtarësimin mes Maqedonisë dhe BE-së.
Rekomandimi u bë nga komisioneri për Zgjerimin, Shtefan Fyle, gjatë prezantimit të raport-progresit për Maqedoninë para Komitetit për Politikën e Jashtme të Parlamentit Evropian.
“Ne mbetemi tek rekomandimi për fillimin e negociatave për anëtarësim. Perspektiva për integrimin në BE është një element që nxit vazhdimin e procesit reformues”, ka deklaruar Fyle.
Por nga ana tjetër, komisioneri ka vlerësuar se është arritur pak progres përsa i përket kontestit të emrit kushtetues mes Maqedonisë dhe Greqisë.
“Gjatë vitit është arritur progres i vogël përsa i përket kontestit të emrit, i cili po vazhdon dhe po zvogëlon motivimin për reforma”, ka theksuar Fyle.
Ai ka nënvizuar se progresi për zgjidhjen e cështjes së emrit përbën një interes jeti, pasi cështja në fjalë sipas tij është zvarritur më shumë se c’duhet.
“Hapja e negociatave për anëtarësim do të jetë e rëndësishme jo vetëm për Maqedoninë dhe rajonin, por edhe për BE-në në tërësi. Nuk duhet humbur edhe një vit tjetër”, ka theksuar Fyle.
Ndër të tjera, ai ka shtuar se sfida të tjera thelbësore për Maqedoninë mbeten: pavarësia e gjyqësorit, reformat në administratën publike, lufta kundër korrupsionit dhe liria e shprehjes, që konsiderohet si një ndër sfidat më serioze.
Top Channel