Blackberry-blackout edhe në Shtetet e Bashkuara

12/10/2011 23:20

Problemet me shërbimin e Blackberry-t janë shtrirë edhe në Shtetet e Bashkuara. Përdoruesit nisën të raportojnë në rrjetin social “Twitter” se nuk mund të hapnin një faqe interneti apo të dërgonin e-mail.

Zhvillimi i fundit pason problemet që nisën në Europë, Lindjen e Mesme dhe Afrikë.

Por nëse më herët kompania kanadeze “Research in Motion” deklaroi se gjithcka po funksionon normalisht, rrëfimet personale në faqet sociale janë shtuar dhe konfirmojnë të kundërtën.

Shumë prej përdoruesve të shërbimit të Blackberry-t i kërkuan kompanisë të zgjidhë problemet dhe të kthejë funksionim normal të shërbimit.

“Research in Motion” shpjegoi se problemet në Europë, Lindjen e Mesme, Afrikë, Indi, Brazil, Kili dhe Argjentinë janë shkaktuar nga një defekt në bërthamën e infrastrukturës së kompanisë.

Si pasojë e blackout-it, miliona përdorues nuk kishin mundësi të shkëmbenin mesazhe në catin e  Blackberry-t, të hapnin faqe interneti apo të dërgonin e-maile.

Analistët thanë se kompania kanadeze duhet ta zgjidhë menjëherë problemin. Defekti, sipas tyre, vjen në momentin më të keq për “Research in Motion”, pas kritikave të këtyre muajve të fundit.

Pas blackout-it që tashmë arriti edhe në Shtetet e Bashkuara, kompania kanadeze duhet të rivlerësojë mbështetjen në serverat e centralizuar dhe të investojë më shumë në serverat e kontrolluar nga degët e kompanisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA