38 kilometrat e parë të autostradës së kombit në Kosovë do të hapen gjatë këtij muaji, bëri të ditur Ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota.
Duke folur për projektin, ai theksoi se deri tani është realizuar një pjesë e tij, me vlerë pothuajse 225 milion euro.
Përpara një komisioni parlamentar për ekonominë, Mujota shtoi se deri në fund të vitit, do të kryhen në masën 100% të gjitha investimet e parashikuara për 2011-n.
Megjithatë, i pyetur nga përfaqësuesi i “Vetëvendosjes”, Ymeri, Ministriu iu shmang përgjigjes konkrete mbi vlerën reale të punimeve.
Po ashtu, antarët e komisionit për Ekonomi dhe Infrastrukturë, për rreth dy orë ngritën pyetje të shumta lidhur me ecurinë e punimeve, jo vetëm rreth autostradës së kombit, por edhe punimeve të tjera nëpër rrugët e Kosovës, ku me vite të tëra kanë ngecur punimet.
Në fund të takimit me komisionin parlamentar, Mujota dorëzoi edhe një projekt të një autostrade tjetër, asaj që duhet të lidhë Prishtinën me Shkupin.
Top Channel