Kuvendi i Kosovës miratoi të premten projekt/propozimin e qeverisë për përcaktimin e përgjegjësive dhe procedurave të FSK-së, për të marrë pjesë në misionet jashtë vendit.
Ministri i FSK-së, Agim Ceku deklaroi në fjalën e tij se ndërhyrjet jashtë vendit parashikohen për situata emergjente, arsye për të cilën ai kërkoi seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit.
“Qeveria propozon që si masë të përkohshme ta nxjerrë këtë vendim dhe të përcaktojë procedurat e zbarkimit të FSK-së jashtë vendit, vetëm në situata emergjente”, deklaroi Ceku.
Drafti u mbështet nga shumica e deputetëve, të cilët gjithësesi kërkuan që kjo të jetë një zgjidhje e përkohshme në mënyrë që më vonë masa të jetë në përputhje me ligjin e FSK-së.
Kundër dolën vetëm deputetët e Vetëvendosjes, të cilët thanë se qeveria e Kosovës nuk ka kompetencat e duhura për të mundësuar zbarkimin e FSK-së as brenda territorit të vetë.
“Kjo është një politikë e jashtme dhe e panevojshme për këtë situatë. Do të ishte shumë më mirë sikur ta kishim FSK-në ushtri në Kosovë dhe pastaj në misione të tjera”, deklaroi kryetari Albin Kurti.
Pjesëmarrja e FSK-së në misionet e huaja shihet si një mundësi jetike për afrimin e Kosovës me Partneritetin e Paqes të NATO-s.
Kjo ka qenë një ndër kërkesat kryesore që presidentja Jahjaga dhe autoritetet kosovare i kanë bërë vazhdimisht faktorit ndërkombëtar.
Top Channel