Ulja e moshës së pensionit është një ndër kërkesat thelbësore të artistëve që nëpërmjet sindikatës së tyre i bëjnë thirrje qeverisë shqiptare dhe veçanërisht Ministrisë së Kulturës që të rifillojë punën për rishqyrtimin e statusit të artistit, një premtim i hershëm ky i institucioneve shqiptare.
Kreu i sindikatës së pavarur të artistëve shqiptarë, Reshat Ibrahimi, përpos uljes së moshë së daljes në pension për disa profesione, kërkon edhe rritjen e pensioneve të artistëve.
“Kemi kërkuar për disa gjini arti të ulet mosha e daljes në pension sepse nuk mund të lejohet që një balerin, një valltar, një artist cirku të vazhdojë deri 65 vjeç. Kemi kërkuar që femrat e këtyre gjinive të dalin në pension në moshën 50-vjeçare, ndërsa meshkujt në moshën 55-vjeçare. Gjithashtu duam që pensioni i artistëve të jetë sa 70% e pagës së tyre. Për artistët që kanë marrë tituj dhe dekorata kërkojmë që arritjet e tyre të vlerësohen dhe respektohen edhe financiarisht”, shprehet Ibrahimi.
Ndërsa aktori Mirush Kabashi vë theksin në një tjetër problem siç është vështirësia e të rinjve për të qenë pjesë e institucioneve artistike, një çështje kjo e përfshirë në draftin që sindikata do i dorëzojë Ministrisë së Kulturës.
“Është një politikë e mbyllur e institucioneve të cilët e kanë fokusuar rrethin e të aktivizuarve vetëm tek disa emra”, thekson Kabashi.
Ndër të tjera përfaqësuesit e sindikatës kanë kërkuar që të nisin punën disa institucione të reja artistike të cilat janë ngritur por nuk janë funksionale siç është Teatri Kombëtar i Komedisë apo Cirku Kombëtar.
Top Channel