Shqipëria është vendi i 64-t më i mirë në botë për të ngritur një biznes. Në klasifikimin e përvitshëm të revistës prestigjoze ekonomike “Forbes” për shtetet që kanë lehtësirat më të mëdha në këtë aspekt, vendi ynë renditet një pozicion më lart se 12 muaj më parë. Një ngjitje e vogël që nuk ka të bëjë aspak me përmirësimin e vendit tonë, por me rënien e dy shteteve që para një viti qendronin përpara nesh në këtë klasifikim.
Dy vendet që tashmë janë pas Shqipërisë janë Greqia dhe Tunizia. Kriza e thellë që ka goditur fqinjët tanë ka ndikuar në çdo aspekt të jetës dhe ekonomisë së helenëve, ndërsa ekonomia e shtetit afrikano-verior ende nuk e ka marrë veten nga revolucioni i janarit, i cili kulmoi me largimin e presidentit Ben Ali.
Për vendin tonë, “Forbes” vë në dukje rritjen prej 3.5 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto, por edhe atë të deficitit tregtar, i cili llogaritet në -11.9 %. Përkeqësim në dy aspekte mjaft të rëndësishme: në Shqipëri është më e vështirë të zhvillohet tregtia e lirë dhe ka një rritje të barrës fiskale për bizneset.
Kanadaja, e cila një vit më parë ishte e katërta, tashmë është e para në listë, ndërsa në vendin e dytë dhe të tretë janë Zelanda e Re dhe Hong Kongu. Rënie me nga një pozicion për SHBA-në (10) dhe Gjermaninë (21), ndërsa tre prej katër vendeve nordike (Danimarka, Suedia dhe Norvegjia) janë në dhjetëshen e parë. Asnjë ndryshim për Britaninë e Madhe (9), Francën (18), ndërsa Italia ka fituar një pozicion (36).
Ndër vendet e rajonit, vetëm Serbia renditet pas Shqipërisë. Fqinjët veriorë të Kosovës janë të 93-t në botë, ndërsa Maqedonia (35), Kroacia (41) dhe Mali i Zi (53) janë përmirësuar, me kroatët dhe maqedonasit që janë dukshëm më mirë se 12 muaj më parë.
Top Channel