Senati i Universitetit të Tiranës ka diskutuar të hënën draftin e qeverisë për formën e re të financimit të universiteteve.
Kreu i këtij Senati, Dhori Kule, në deklaratën për shtyp ka evidentuar një sërë boshllëqesh ligjore në këtë draft, që cënojnë besueshmërinë e tij, por edhe transparencën e realizimit të tij .
Në këtë takim është kërkuar të bëhen publik autorët e këtij drafti, opinioni i konsulentëve të huaj dhe gjendja aktuale e arsimit në Shqipëri.
Senati i ka kërkuar Ministrisë së Arsimit të bëjë publik vendin që ka zbatuar skemën e financimit të studentit dhe sa fitimprurëse ka rezultuar ajo. Një pikë tjetër e dobët sipas rektorit Dhori Kule mbetet edhe kontrroli i universiteteve që do të fitojnë këto fonde si organizata jofitimprurëse.
Profesorët e Senatit ngrejnë dyshime mbi këtë kontrroll duke u nisur nga praktika aktuale e pranuar nga vetë ky material se deri tani shteti nuk ka arritur të bëje kontrollin dhe monitorimin e universiteteve private? Një pikë e rëndësishme e draftit të financimit që qeveria ka kërkuar ta zbatojë më 2013 është performanca e universiteteve.
Rektori i Universitetit të Tiranes dhe kreu i Senatit ka kërkuar të dijë se mbi c’baza do të bëhet vlerësimi i performancës së universiteteve.
Në draft paraqitet se skema e re e financimit të universiteteve bazohet në performancën e tyre, por në fakt kjo performancë në këtë material zhvillohet vetëm në bazë të numrit të studentëve dhe jo në treguesit e tjerë cilësorë të kësaj performance.
Senati ka kërkuar që të bëhen edhe dhjetra detajime teknike të draftit mbi financimin e universiteteve i cili është kërkuar të zbatohet me shpejtësi nga qeveria.
Modeli i zgjedhur në këtë material për financimin e IAL është ai që ndjek “studentin”. Cilat janë modelet e tjera me të cilat grupi hartues i materialit është konsultuar dhe përse u zgjodh pikërisht ky model? (A ishte më i suksesshmi; ai ishte më i përshtatshmi për kushtet e vendit tonë; a është më i mundshmi për t’u zbatuar aktualisht? Pra cilat janë argumentet pro dhe kundër të përdorura nga hartuesit e këtij materiali të zgjedhjes së këtij modeli.
Top Channel