Festohet 21 vjetori i bashkimit të Gjermanive. Ambasada Gjermane në Tiranë organizoi një pritje me rastin e përvjetorit të kësaj ngjarjeje të rëndësishme.
Në të ishin të pranishëm shumë personalitete të politikës shqiptare si kryeministri Sali Berisha, kreu i Partisë Socialiste Edi Rama, si dhe kryetari i ri i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.
Por edhe ambasadorë të shteteve të tjera të Evropës si dhe të organizatave të ndryshme ndërkombëtare që operojnë në vendin tonë.
Festa është një prej eventeve të organizuara me rastin e Tetorit Gjerman, një muaji të mbushur me aktivitete të zhanreve të ndryshme.
Atashehu kulturor i ambasadës gjermane në Shqipëri, Harald Schindler, u prononcua për Top Channel në lidhje me kalendarin e eventeve si dhe tematikën e këtij viti.
“Ky është edicioni i pestë i Tetorit Gjerman. Katër edicionet e tjera janë marrë me marrëdhëniet midis Gjermanisë dhe Shqipërisë dhe gjëra të tjera me rëndësi si rënia e Murit të Berlinit. Këtë herë vendosëm të bëjmë diçka të re dhe ndryshe. Vendosëm të zgjedhim një tematikë e cila i përket të ardhmes, siç është ajo e ndryshimit të klimës dhe energjisë së rinovueshme. Por, sigurisht që Tetori Gjerman nuk është vetëm për energjinë e rinovueshme dhe ndryshimin e klimës. Ne kemi gjithashtu shumë evente të cilat kanë të bëjnë me kulturën. Premiera operistike e “Flautit Magjik” të Moxartit është një prej tyre. Kemi gjithashtu prezantime librash, koncerte të ndryshme, sfilatë mode nga një stiliste shqiptare e cila krijon veshje moderne bazuar në kostumet tradicionale shqiptare”, u shpreh Schindler.
Ambasada gjermane ka vënë në dispozicion edhe një faqe interneti ku mund të gjeni informacion në lidhje me eventet e ndryshme që do të zhvillohen.
Top Channel