“Shqip”, të bashkëjetosh me korrupsionin

03/10/2011 00:00

Deputeti i Partisë Socialiste, Erjon Braçe, denoncoi zhvelërësimin e qëllimshëm të pasurive kombëtare për shitjen nën kosto dhe zhvatjen e fondeve të buxhetit të shtetit, si format më të rrezikshme të korrupsionit, gjatë emisionit “Shqip”, në TCH.

Duke iu referuar denoncimit në rubrikën “Shqipëria tjetër“, Braçe u shpreh se: “Ajo që po ndodh me pasuritë minerare në vendin tonë është rasti më klasik i shpërdorimit që ndodh me atë që duhet të jetë pasuria e të gjithëve.

Është e qartë për të gjithë se ata njerëz atje punojnë si skllevër, për 100 mijë lekë të vjetra për të mbajtur frymën gjallë, ndërsa në kurrizin e tyre ka njerëz të lidhur me politikën që fitojnë qindra miliona dhe vënë pasuri përrallore.

Kjo është më e prekshmja, por raste si ai i Bulqizës ka në çdo cep të Shqipërisë së sotme, para që shkojnë në xhepat e biznesmenëve gjithfarë llojesh. Edhe më e rrezikshme se kjo është ajo që ndodh me paratë e buxhetit, me manipulimet që bëhen me institucionet dhe Bankën e Shqipërisë”.

Duke vazhduar në fjalën e tij, Braçe, sikurse disa ditë më parë në Kuvend, sulmoi drejtëpërsëdrejti kryeministrin Berisha, si njeriun që i ofron mburojë praktikave korruptive në vend. “Sa herë që në Parlament dikush sulmon me argumenta korrupsionin, përballet me sharrje deri në brezin e tretë nga Kryeministri ose me atë Zonjën (Jozefina Topalli), e cila pret fjalën se mbaroi koha.

Pa dyshim, në deklaratat publike, Zoti Berisha shprehet se është duke e luftuar me të gjitha forcat fenomenin e korrupsionit, ndërsa në të vërtetë ai është personi i cili mbron personat e përlyer me shpërdorimin e pasurive kombëtare”.

Braçe ofroi një tjetër shembull të korrupsionit, në atë që ndodh me biznesin e naftës. “Është Berisha ai që ka dhënë me konçension për 25 vjet fushat më të mëdha naftëmbajtëse të Shqipërisë, pa u kujdesur aspak për kushtet e punës dhe ato ambientale, të cilat përditë sëmurin gjithmonë e më shumë me mijëra banorë në zonën e Patos Marinzës.

Paradoksalisht, këto janë kompani të cilat jo vetëm që zhvasin pasurinë kombëtare, por edhe nuk paguajnë asnjë qindarkë për buxhetin e shtetit. Kompania në fjalë nuk paguan sepse investon në infrastrukturën e naftës… atë infrastrukturë që nuk ka pësuar asnjë rinovim që prej rënies së diktaturës.

Ky është edhe shteti ku gjithçka jepet me konçension, pa asnjë përfitim për shtetin. Përfitimet shkojnë të gjitha për të tjerë, ndërsa shumë prej kompanive konçensionare nuk lejohen të punojnë në vende të tjera për 101 e arsye. Për mua, është e qartë se korrupsioni më i madh bëhet me pasuritë kombëtare”.

Braçe iu rikthye edhe çështjes së naftës “vergine”, duke parë korrupsion edhe atje ku qeveria lejon të shiten mallra me cilësi shumë më të ulët, diçka që sipas deputetit të PS-së mund të arrihet vetëm duke paguar rryshfete të majme.

”Bëhet shumë reklamë për korrupsionin nëpër shkolla apo spitale, por e gjithë kjo bëhet për të fshehur korrupsionin e vërtetë, atë të madhin që ndodh përditë në Bulqizë, Patos, Skrapar, Urën Vajgurore dhe kudo nëpër Shqipëri.

U desh greva e minatorëve që të tregohej se çfarë po ndodh në galeritë nëntokësore, ndërsa 20% i shtesës së pagës së tyre jo vetëm që është qesharak, por edhe inkriminues. Është ky shtet që ndërmjetëson midis kompanive dhe minatorëve, pa pyetur për kushtet e punës nga e cila çdo vit humbin jetën njëri pas tjetrit minatorët.

Të gjitha kontratat që ekzistojnë, janë të gjitha inkriminuese. Është një mafie e vërtetë, duke nisur nga çmimi simbolik prej një euro, me të cilën janë dhënë dy miniera dhe dy fabrika pasurimi të kromit, ku në një vit kanë vdekur pikërisht dy persona që punonin për bukën e gojës”.

Nano: S’ka kulturë anti-korruptive

Opinionisti Mustafa Nano vlerëson se shoqërisë shqiptare i mungon kurajoja për të denoncuar korruspsionin.

Duke folur në debatin në emisionin “Shqip”, Nano ka theksuar se për shkak të kësaj heshtjeje, politika ka humbur frikën dhe bën afera me gjithcka që i del përpara.

“Korrupsioni është denoncuar disa herë, por nuk ekziston natyra civile e protestave. Korrupsion ka pasur, edhe para 2005-ës, por pas 2005-ës unë kam vënë re se këta bëjnë cfarë të duan dhe nuk kanë frikë”, ka deklaruar Nano, i cili ka dhënë edhe disa shembuj.

“Berisha u tha deputetëve: ‘mos u kruani me Bechtel’, kjo është skandaloze. Ai nuk hyn në thelbin e gjërave që denoncohen. Nuk ka asnjë lloj frikë nga ata që qeverisin”, ka nënvizuar Nano.

Ai ka shtuar më tej se, sot politikanëve u duket se gjithë territori shqiptar është në dorën e tyre dhe për këtë arsye ata nuk kanë frikë.

Dervishi: Të bjerë pandëshkueshmëria

Në të njëjtën linjë shprehet edhe analisti Lutfi Dervishi, sipas të cilit shoqëria ndodhet në një solidarizim me të keqen dhe peshon më tepër kapitali financiar sesa kapitali moral.

“Duket se edhe njerëzit që kanë disa principe cilësohen si budallenj, jashtë kohe, etj. Xhepi i thellë blen politikën, drejtësinë, etj. Shkaku vjen tek pasiviteti jonë, ryshfeti i vogël, ryshfeti që jepet tek arsimi, tek shëndetësia, lejet e ndërtimit, etj”, ka pohuar Dervishi.

Ndërsa një tjetër element i rëndësishëm që vjen më pas, sipas tij, është edhe kultura e pandëshkueshmërisë.

“Nëse pyesim se sa është numri i zyrtarëve që janë dënuar për korrupsion, mjaftojnë vetëm gishtat e njërës dorë për të numëruar”, ka deklaruar Dervishi.

Filipi: Korrupsioni, kancer i shoqërisë

Ndërsa drejtuesi i institutit “Axhenda”, Gjergji Filipi vlerëson se korrupsioni është një fenomen që tashmë është kthyer në një kancer për shoqërinë.

“Janë këmbyer disa trajektore që e kanë bërë këtë fenomen si kancerin e shoqërive në zhvillim. Është një paketë e përgjithshme sëmundjesh. Fillon nga demokracia, sa kanë kurajë njerëzit të ngrenë zërin, është shteti ligjor, sa funksionojnë institucionet e së drejtës dhe sa mundohet politika për t’i zgjidhur problemet”, ka deklaruar Filipi.

Sipas tij, duhet të bjerë kultura e pandëshkueshmërisë, pasi në rast të kundërt nuk ka dritë në fund të tunelit.

“Nëse mendohet se politikanët janë në majën e Olimpit dhe ne s’i prekim dot, atëherë nuk do të arrijmë kurrë që të fitojmë”, ka nënvizuar Filipi.

Dervishi: Lufta kundër korrupsioni tejkalon mandatet

I ndodhur në panelin e të ftuarve në emisionin “Shqip” në Top Channel, analisti Lutfi Dervishi theksoi se lufta kundër korrupsionit duhet të tejkalojë një mandate qeverisës.

Zoti Dervishi theksoi se askush s’mund të marrë flamurin për luftën kundër korrupsionit, pasi sipas tij, vetë fenomeni kërkon më shumë se sa një mandat qeverisës. Ai shtoi se mekanizmat dhe institucionet

“Beteja kundër korrupsionit i tejkalon mandatet qeverisëse dhe askush nuk mund ta marrë flamurin e luftës kundër këtij fenomeni. Përpjekja për të krijuar mekanizma, institucione, për ndëshkim janë vetëm disa elementë që garantojnë këtë betejë”, tha Derbishi. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA