Ministri i Financave Ridvan Bode deklaroi në Komisionin e Ekonomisë se qeveria arriti të rikthejë në stabilitet financat publike të vendit, falë politikës që ndoqi me buxhetin e vitit të kaluar.
“Së pari një rënie të deficitit vjetor të buxhetit në nivelet 3 përqind, duke qenë deficiti më i ulët historik i gjithë periudhës së tranzicionit. Së dyti, në këtë vit të presionit të krizës globale borxhi publik të ulet me 1 pikë përqindje të prodhimit të brendshëm bruto”, deklaroi ministri Bode.
Por opozita i lexon ndryshe shifrat e buxhetit. Mimi Kodheli liston dy tregues, që sipas saj dëshmojnë se qeveria dështoi me financat.
“Të ardhurat buxhetore për vitin 2010, përkundrejt plani, janë në masën -8.9 miliard lekë, ndërkohë që vetëm të ardhurat tatimore janë në -10.5 miliard lekë”, tha Kodheli.
Deputeti tjetër socialist Arben Malaj, thotë se ulja e deficitit ishte e detyrueshme, por u bë me një kosto të lartë për ekonominë.
“Nëse vërtetojmë që ka mosrealizim të ardhurash dhe nga ana tjetër kemi ulje të deficitit, atëherë janë dy faktorë që mund të kenë sjellë këtë, por që të dy nuk kanë impakt pozitiv. E para janë të ardhurat spondane që mund të vijnë nga privatizimi dhe ne kemi mbërritur në që thesin e privatizmit nuk kemi ku ta shkundim më dhe e dyta është mosrealizimi i shpenzimeve, aq më i keq është impakti ekonomik kur ky mosrealizim nxit pastaj investimet në ekonomi”, tha deputeti Malaj.
“Sot sfida e financave kudo në botë është shkurtimi i shpenzimeve, nuk shkurtojmë më shpenzime, se iu është rritur kostoja e shpenzimit të buxhetit, duhet të shkurtojmë pagat, pensionet pa të shkurtojmë shpenzimet. Në bëmë të mundur shkurtimin e shpenzimeve duke rritur pagat dhe pensionet në vitin 2010. kemi ruajtur një nivel investimesh qendrore dhe lokal prej 7 përqind, c’vit e keni bërë ju?!”, tha replikoi ministri Bode.
Në vitin 2010 qeveria ndoqi një politikë të shtrënguar fiskale, kur pas shtimit të financave të vendit në vitin zgjedhor të 2009 u detyra të ndërhynte disa herë për të shkurtuar shpenzimet, që goditën kryesisht investimet publike.
Top Channel