Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka thënë se çdo veprim
për largimin e barrikadave të vendosura nga serbët e rebeluar në veri do
të bëhet në koordinim me EULEX-it dhe KFOR-in.

Sipas Kosovapress, ministri Rexhepi theksoi se situata në veri ka nisur të bëhet e padurueshme. 
Ndërkohë shefi i UNMIK-ut, Farid Zarid, ka kërkuar nga serbët e veriut që t’i heqin barrikadat.

Serbët e mbledhur në Jarinje kanë refuzuar ftesën, pasi për ta, sipas RTK-së, kjo për ta është e papranuar, sepse doganat dhe kufijtë janë simbole shtetërore. Zarid ka thënë se doganieri i Kosovës në pikëkalim nuk është operativ dhe se prania e tij nuk duhet t’i irritojë serbët.

Shefi i UNMIK-ut ka kërkuar nga serbët që protestat t’i kenë të qeta, ndërsa serbët “janë lutur që t’i mbrojë misioni i OKB-së, sepse nuk u besojnë misioneve tjera ndërkombëtare në Kosovë”, raporton “Beta”.

Pas largimit të Zaridit, ushtarët e KFOR-it kanë shtrirë telat me gjemba edhe mbi barrikadën në rrugën kryesore për Jarinje. Afro 20 serbë, kryesisht gra, janë shpërndarë pas këtij aksioni.

Ndërkohë dështimin e dialogut në Bruksel, Prishtina e sheh si një demaskim që i është bërë politikës së Beogradit, që sipas zyrtarëve kosovarë përmes krijimit të situatave konfliktuoze në veri, synonte arritjen e caqeve politike.

Këshilltari politik i kryeministrit, Dukagjin Gorani thotë se pala kosovare është e gatshme sërish që të vazhdojë dialogun, edhe pse sipas tij, ai u ndërpre përmes një politike destruktive.

Raundi i shtatë i dialogut teknik mes Prishtinës dhe Beogradit u anulua, pasi as BE-ja dhe as SHBA-të, si ndërmjetëse në këtë dialog, nuk pranuan kërkesën e Serbisë që të flitej për gjendjen e krijuar në portat kufitare në veri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA