Konsumatorët e energjisë elektrike në Kukës vazhdojnë të mos paguajnë faturat për sasinë e energjisë së konsumuar duke thelluar kështu borxhet që kanë ndaj CEZ.
Sipas gazetës ‘Shqip’, shkak është pamundësia ekonomike, e cila sa vjen dhe thellohet. Burime nga prefektura, që konfirmohen edhe nga kompania, bëjnë të ditur se në Qarkun e Kukësit problem të theksuar me pagesën e faturave kanë familjet, ku vetëm 8 për qind e tyre shlyejnë detyrimet për konsumin e energjisë.
Dobët paraqitet edhe konsumatori biznes, ku 75 për qind nuk i paguajnë dritat, sikurse nuk mbeten pas edhe institucionet shtetërore. Kështu, në rrethin e Kukësit konsumatorët familjarë paguajnë vetëm pak më shumë se 4 për qind, nga 12 për qind që ishte niveli i arritur në 2010-n, kurse në rrethin e Hasit e paguajnë energjisë 12 për qind e familjeve, kurse në Tropojë vetëm 3 për qind e shlyejnë detyrimin.
Pjesa dërrmuese e debitorëve familjarë nuk i paguajnë faturat prej shumë vitesh, çfarë ka sjellë edhe dërgimin në prokurori nga ana e CEZ të një liste prej dhjetëra familjesh, me të cilat pritet të merret zyra e përmbarimit, për shkak se fatura konsiderohen si një titull ekzekutiv që nuk negociohet.
Top Channel