Raportuesi për Serbinë në Parlamentin Evropian, Jelko Kacin i ka bërë
thirrje Beogradit që të kthehet sa më parë në bisedimet me Prishtinën.

“Ai që është larguar nga bisedimet duhet të kthehet sa më parë. Komisioni Evropian më 12 tetor do të lëshojë rekomandimin, i cili do të dështojë nëse Serbia, me veprimet që po ndodhin aktualisht, tregon se nuk i intereson statusi i vendit kandidat”, ka deklaruar Kacin.

Europarlamentari ka nënvizuar se zgjidhja e situatës në Kosovë është në interes të Serbisë, e cila sipas tij nuk i ka të qarta prioritetet e saj.

“Statusi i kandidatit është në pëllëmbë të dorës, por prioritetet e Serbisë duket se janë të tjera”, ka nënvizuar Kacin.

Raportuesi i Parlamentit Evropian ka shprehur besimin tek institucionet ndërkombëtare që po veprojnë në veri të Kosovës.

“Të gjitha vendimet dhe veprimet e KFOR-it dhe EULEX-it janë transparente”, ka shtuar ai, duke shprehur mbështetjen e Parlamentit Evropian.

Bisedimet Prishtinë-Beograd, të parashikuara për në datat 27 dhe 28 shtator, dështuan pasi pala serbe nuk arriti të impononte temat e bisedimeve.

Për caktimin e një raundi të ri dialogu, negociatori i Bashkimit Evropian, Robert Cooper do të zhvillojë së shpejti vizita në Serbi dhe Kosovë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA