PS, akuza Berishës për korrupsion

29/09/2011 00:00

Në interpelancën me kryeministrin, deputeti Erion Braçe ka deklaruar se po jepen me konçension tërë pasuritë publike dhe duket sikur vendi është në shitje.

Duke vijuar më tej interpelancën, ai u ndal gjatë në konçesionet në naftë, duke përmendur dy kompani Bankers Petrolium dhe Stream Oil, që për shkak të shfrytëzimit ekskluziv të naftës në Shqipëri, kanë rritur kuotimet e tyre në bursë. Kompani, që sipas tij, nuk kanë paguar tatimin mbi fitimin.

“Në gjashtë mujorin e parë të këtij viti kompania Bankers Petrolium ka realizuar të ardhura prej 157 milionë dollarësh mbi fushat e naftës që ka në shfrytëzim. Kompania Stream Oil ka realizuar vetëm 6.5 milionë dollarë. Çfarë fiton Shqipëria nga këto. Ky është dekreti që ky zotëri ka nxjerrë në cilësinë e presidentit, në vitin 1995, dhe këtu thuhet se tatimi i fitimit mbi këto kompani që operojnë në fushën e naftës është 50%. Po e sfidoj publikisht që të më thojë se sa tatim-fitim ka paguar Stream Oil këto vitet e fundit? Sa tatim fitim i ka paguar Bankers Petroleum në këto vitet e fundit? Nëse s’e bën, siç nuk e bëri deri tani, duke i shmangur dhe treguar shqiptarëve ato 100 mijë lekshat, por u them unë se tatimi ka qenë 0, sepse ky dekret me firmë të tij, nuk zbatohet nga administrata e tij, nuk kontrollohet nga administrata e tij”, është shprehur Braçe.

Ndërkohë kryeministri Berisha tha se kjo mazhorancë i ka shndërruar qytetarët shqiptarë në pronarë. Ai mbrojti gjatë interpelancës së kërkuar nga deputeti Erjon Braçe, proçesin e dhënies së konçesioneve.

“Jeni përpjekur të përbaltni konçesione që shndërrisin në historinë e konçesioneve në Evropë dhe në botë. Si asnjëherë tjetër kam firmosur në një hark kohor 2-3 vjeçar kontrata për ndërtimin e 220 hidrocentraleve. Krijoni komision dhe i realizoni një nga një. Por i konfrontoni ato me ligjet. Ku janë shkelur. Mos mendoni se lufta për motive politike jep rezultat”, tha Berisha.

Më pas, duke u ndalur te konçesionet e kromit, deputeti Braçe tha se kompania që ACR fiton 2430 euro nga çdo minator në ditë, ndërkohë që i kthen atij vetëm 10 euro.

Ndërkohë që për burimet e kromit ka 268 leje, që, sipas tij, mbahen nga një mafia e kromit. Kryeministri e mori sërish fjalën, duke larguar nga podiumi deputetin Braçe, të cilit i kishte mbaruar koha.

Kryeministri nuk u ndal në akuzat konkrete të deputetit Braçe, por mbrojti bilancin ekonomik të qeverisë, rritjen e investimeve të huaja, të eksporteve dhe të të ardhurave të shqiptarëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA