Ndërmjetësi i Bashkimit Evropian në bisedimet Kosovë-Serbi, Robert Cooper do të vizitojë së shpejti Prishtinën dhe Beogradin.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat kosovare, sipas të cilave Cooper do të përpiqet të organizojë mbajtjen e raundit të ri të bisedimeve, pas dështimit të atij të parashikuar në datat 27 dhe 28 shtator.

Sipas mediave kosovare, Cooper ka deklaruar se në Bruksel është biseduar me të dyja palët mbi temat të cilat duhet të diskutohen.

Raundi i dialogut i parashikuar për të martën dhe të mërkurën dështoi për shkak të insistimit të Serbisë për të diskutuar për situatën në veri të Kosovës.

Vetë negociatori evropian njoftoi anulimin e procesit, lidhur me të cilin tha se nuk ishte parashikuar të diskutohej për doganat në veri.

“Dialogu nuk u zhvillua sepse delegacioni serb nuk ishte i gatshëm për të vazhduar bisedimet. Situata në doganat e veriut të Kosovës nuk është pjesë e dialogut dhe as subjekt i ndonjë negociate të vecante me Serbinë”, deklaroi Cooper.

“Dialogu do të vijojë kur pala serbe do të jetë e gatshme për t’u riangazhuar. Qëllimi i procesit mbetet diskutimi i cështjeve që synojnë përmirësimin e jetës së njerëzve dhe afrimin e palëve në BE”, vijoi ai.

Më vonë gjatë së mërkurës, SHBA dhe BE shprehën mbështetjen e tyre ndaj qeverisë së Kosovës dhe planit të saj për shtrirjen e autoritetit në veri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA