Kryeministri Hashim Thaçi, i sapokthyer nga Nju Jorku është shprehur i vendosur për të përfunduar punën e nisur në veriun e Kosovës.
Pas mbledhjes së qeverisë ai ka deklaruar se do të vazhdohet me largimin e barrikadave dhe me zbatimin e planit operacional, i cili është hartuar javë më parë në bashkëpunim me ndërkombëtarët.
Ai këtë vendosmëri e ka shprehur një ditë pas plagosjes së 4 ushtarëve dhe disa serbëve në pikën kufitare në Jarinjë të Leposavicit, që sipas tij “të martën ka ndodhur ajo që nuk do të duhej të ndodhte”.
“Do vijohet me përgjegjësitë për implementimin e planit operacional. Do vijohet me heqjen e barrikadave dhe nuk do ketë asnjë pengesë që do bllokojë vendosjen e rendit dhe ligjit në veri”, ka deklaruar Thaci.
Kryeministri Thaçi ka dënuar dhunën e ekstremistëve serbë të ushtruar ndaj KFOR-it dhe EULEX-it, ndërsa u ka bërë thirrje serbëve lokalë që të tregojnë vullnet për bashkëpunim, t’i kthehen paqes dhe u ka premtuar atyre se qeveria e Kosovës do t’u qëndrojë pranë.
Ndryshe, kreu i ekzekutivit kosovar është shprehur se problemet në veri janë disavjeçare dhe se për këtë arsye nuk mund të zgjidhen shpejtë.
“Problemet e krijuara në 12 vite s’mund të zgjidhen në 1 apo 2 muaj. Me rëndësi është se ka filluar e mbara dhe jemi duke implementuar planin operacional për pikën 1 dhe 31”, ka nënvizuar Thaci.
Po ashtu, kryeministri ka informuar edhe për vizitën e tij në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ku sipas tij në takimet që ka pasur me liderë të ndryshëm është rikonfirmuar përkrahja për tërësinë territoriale të Kosovës.
Duke folur për dialogun me Serbinë, ai ka thënë se Kosova është e përkushtuar për vazhdimin e tij, ndërsa nuk ka komentuar deklarimet e anëtarëve të kryesisë, që sipas tyre me Serbinë ka vetëm dialog politik, duke rikujtuar se për dialogun e filluar është pajtuar edhe Kuvendi i Kosovës.
Top Channel