Një superaksion i policisë së Kosovës kundër piraterisë televizive u zhvillua gjatë ditës së mërkurë në mbarë Kosovën. Mbi 150 zyrtarë policorë u angazhuan në bastisje në të gjithë territorin kosovar.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Arbër Beka konfirmoi se në orët e hershme të mëngjesit, drejtoria për Krimet Ekonomike dhe Korrupsionin ka nisur një aksion bastisjesh në tërë territorin e Kosovës, me dyshimin e bazuar se është kryer vepër penale, ndërhyrje në sistemin kompjuterik, shkelje të të drejtave të autorit dhe shmangie të tatimit.

Policia gjatë aksionit ka konfiskuar dhjetëra servera kompjuterikë, telefona celularë, pajisje elektronike të tipit Dreambox, të cilat përdoreshin për transmetim të paligjshëm të sinjalit televiziv të DigitAlb dhe platformave të tjera.

Gjatë këtij aksioni në prangat e policisë ranë 17 persona ndaj të cilëve është shqiptuar masa e ndalimit 48 orë.

“Ata kanë kryer veprimtari të paligjshme, konkretisht ndërhyrje në sistemin kompjuterik, që do të thotë se përmes programeve të ndryshme kanë shfaqur kanale të ndryshme televizive pa pasur të drejtën”, ka deklaruar Arbër Beka, zëdhënës i Policisë.

Aksioni është kryer në disa qendra të Kosovës, si Prishtinë, Prizren, Ferizaj, Mitrovicë e të tjera qytete, ndërsa objekt i këtij aksioni ishin kompanitë që ofronin shërbimin e transmetimit të programeve televizive në mënyrë pirate, nëpërmjet shpërndarjes së kodeve në internet.

Hetimet, të cilat zgjasnin prej muajsh, do të vazhdojnë njofton Policia e Kosovës. Ndërkohë, burime pranë këtij operacioni thonë se aksioni do të vijojë edhe më tej deri në zhdukjen e këtij fenomeni dhe vënien para drejtisë të fajtorëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA