Mallrat nga Kosova po hyjnë në Serbi përmes dokumentacionit të dyfishtë, duke u pajisur edhe me dokumente të nevojshme nga strukturat paralele e  ilegale serbe në Kosovë.

Kështu pretendojnë në Lëvizjen Vetëvendosje, por kjo është hedhur poshtë nga ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari – Lila. Sipas nënkryetarit të Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti, kjo lëvizje ka monitoruar gjendjen në Merdare, dhe se maunet të cilat kanë kaluar gjatë së hënës nuk kanë kthyer dokumentacionin që të dëshmojnë se si kanë kaluar në Serbi.   

“Gjatë ditëve të fundit kemi monitoruar gjendjen në Merdare. Ato tri mauna të cilat thuhet se kanë kaluar dje nuk e kanë kthyer dokumentacionin që nevojitet t’i kthehet dhe që është praktikë në marrëveshjet mes dy shteteve. Por, tashmë është e qartë se ato kompani kanë kaluar me dokumenta të dyfishta, që domethënë në njërën anë i paraqesin dokumentet e Doganave të Kosovës për të kaluar andej dhe pastaj, te Doganat e Republikës së Serbisë paraqesin dokumente paralele pa të cilat nuk mund të kalohen”, shprehet Shpend Ahmeti,  nënkryetar i Lëvizjes Vetëvendosje.

Në anën tjetër, ministrja Mimoza Kusari – Lila, duke folur për Top Channel, ka thënë se kalimi i kamionëve për në Serbi është bërë me dokumentacion të Kosovës.

“Kur ka pasur dyshime më herët dhe ka pasur fakte të cilat i kanë përcjellë këto dyshime, janë gjetur edhe dokumentacionet. Në rastet e fundit të eksportit për në Serbi nuk janë gjetur dokumentacione. Janë marrë konfirmimet edhe në dokumentacionin e origjinës edhe në dokumentacionin e Kosovës është vula e doganave të Serbisë që domethënë se ai është dokumenti i vetëm i cili është dorëzuar në anën tjetër”, reagon Mimoza Kusari-Lila, Ministre e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës.

Sipas Vetëvendosjes, deri më tani kanë hyrë 1 mijë maune me mallra serbe në Kosovë, me një vlerë rreth 15 milionë euro, që do të thotë se sërish tregu është mbushur me mallra serbe dhe janë krijuar stoqe.
 
Ndryshe, forca e tretë parlamentare ka kërkuar sërish dorëheqjen e qeverisë “Thaçi”, meqë sipas tyre “po punojnë në kundërshtim me interesat e qytetarëve të Kosovës”.

Por, ministrja Kusari – Lila, që njëherësh mban edhe postin e zëvëndëskryeministrit, nuk ka dashur të komentojë këtë, meqë sipas saj “është bërë kërkesë e zakonshme”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA