Të paktën katër ushtarë të KFOR-it e disa serbë raportohet të jenë lënduar nga një përleshje ndërmjet tyre në pikën kufitare në Jarinjë.
Kjo përleshje nisi pasi KFOR-i kishte bllokuar rrugën alternative të cilën serbët lokal e kishin hapur ilegalisht për qarkullimin e njerëzve dhe mallrave.
Pas bllokimit të rrugës serbët e revoltuar kishin nisur të gjuanin me gurë në drejtim të ushtarëve të KFOR-it, ndërsa është raportuar edhe për të shtëna me armë zjarri në drejtim të tyre.
Gurëve KFOR-i iu është kundërpërgjigjur duke hedhur gaz lotsjellës dhe duke përdorur plumba gome. Disa autoambulanca janë parë duke bartur serbë të lënduar në spitalin që ndodhet në veri të Mitrovicës.
Ndërkohë, zyrtarët e spitalit në veri nuk kanë precizuar numrin e saktë të të lënduarve apo për gjendjen e tyre shëndetësore. Megjithatë, zyrtarët e spitalit kanë thënë për mediat serbe se të lënduarit janë të plagosur nga të shtënat me armë zjarri.
Pavarësisht iniciativës së KFOR-it për të larguar barrikadat nëpër rrugët e veriut të Mitrovicës, pothuajse të gjitha rrugët vazhdojnë të jenë të bllokuara. Bllokimi i tyre po i shkakton probleme edhe qytetarëve serb të cilët nga veriu i Mitrovicës dëshirojnë të shkojnë në qendrat tjera të Kosovës.
“Kaluam pa problem në pikën kufitare në Jarinjë. Atje,kishte masa të shtuara të KFOR-it. Ne na kontrolloi Policia e Kosovës dhe doganierët nuk patëm asnjë problem dhe u nisem për në Lipjan. Por, tani po e shohim që këndej pari nuk mund të lëvizim tani na duhet të shkojnë nëpër qendër të Mitrovicës dhe të shohim nga cila rrugë mund të kalojmë në jug të qytetit”, thotë një qytetar serb.
Pas incidentit në Jarinjë KFOR-i, EULEX-i, por edhe Policia e Kosovës pothuajse në gjitha lagjet me popullatë të përzier kishin shtuar masat e sigurisë.
Ndërkohë, Bashkimi Europian e ka dënuar fuqishëm incidentin më të ri të shkaktuar të martën në veri të Mitrovicës. Pak orë pas përleshjeve ndërmjet KFOR-it dhe serbëve në afërsi të pikës kufitare në Jarinjë, BE-ja thërret për përmbajtje nga të gjitha palët, ndërkohë që shpreh përkrahje të plotë ndaj forcave të KFOR-it dhe misionit të BE-së (EULEX) për të hequr barrikadat serbe dhe qetësuar situatën.
“Pati një incident serioz në Pikën Doganore 1 të Jarinjës dhe disa njerëz u plagosën. Dhuna nuk është rruga e duhur për të ecur përpara, njerëzit duhet të jenë të qetë dhe të veprojnë me përgjegjësi. Në këtë pikë është e rëndësishme që njerëzit të respektojnë ligjin”, thotë zëdhënësi i EULEX, Nikolas Hauton.
Ndaj këtij rasti kanë reaguar edhe partitë opozitare në vend.
Tadic: KFOR, dhunë ndaj serbëve
Serbia konsideron se situata në veri është një dhunë ndaj serbëve të atjeshëm. Politikanët serbë kanë reaguar duke dënuar ngjarjet e reja në këtë zonë.
Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, në një deklaratë për agjencinë shtetërore Tanjug, ka theksuar se KFOR-i është aty për të mbrojtur qytetarët duarthatë dhe jo të përleshet me ta dhe se ushtarët duhet të jenë neutral në këto momente.
Tadiç ka ftuar për qetësimin e situatës, duke u shprehur se nuk ka asnjë gjë që mund të shfajësoj veprimet e KFOR-it, e që paraqitet si një dorë e zgjatur e Prishtinës.
“E kritikoj ashpër përdorimin e dhunës ndaj qytetarëve dhe apeloj tek bashkësia ndërkombëtare dhe forcat ndërkombëtare të mos përleshen me serbët në veri të Kosovës e Metohisë”, ka thënë Tadiç në një deklaratë.
Mediat serbe kanë raportuar ndryshe nga mediat e Kosovës dhe sipas tyre në veri të Kosovës janë lënduar gjashtë serbë pasi KFOR-i ka përdorur dhunë dhe plumba goma kundër tyre.
Ndërsa rastin e ka dënuar edhe ministri për Kosovën, Goran Bogdanoviç, i cili ka theksuar se kjo nuk i ndihmon paqes dhe stabilitetit.
Kurse ministri i Policisë, Ivica Daçiç, e ka quajtur turp për bashkësinë ndërkombëtare atë që ka ndodhur në Kosovë dhe, sipas tij, Serbia do të kërkoj urgjentisht që të definohen qëndrimet e ndërkombëtarëve në Kosovë.
Partitë opozitare kanë kritikuar KFOR-in, por edhe disa prej tyre, kanë thënë se Serbia do të duhej të ndryshojë politikën e saj.
Top Channel