Pas ngjarjeve të së martës në veri të Kosovës, komanda e NATO-s në këtë vend ka deklaruar se do të veprojë sërish ndaj protestuesve të dhunshëm.
“NATO njeh të drejtën për protesta paqësore e të ligjshme, por bllokimi i trafikut përmes barrikadave dëmton tregtarët dhe konsumatorët, si dhe krijon një situatë të rrezikshme që kërkon reagime emergjente”, thuhet në një komunikatë.
Aleanca vlerëson se, kur protestat kthehen në akte dhune dhe pengohet liria e lëvizjes, “NATO duhet të veprojë”.
Reagimi i komandës së NATO-s vjen pas trazirave të së martës në veri të Kosovës, ku disa ushtarë të KFOR-it u përleshën me disa protestues serbë.
EULEX: Hetim ngjarjeve të fundit
Zëdhënësi i EULEX-it, Nicholas Hawton, ka thënë se prokurorët e misionit të BE-së do të hetojnë ngjarjet në pikëkalimin e Jarinjes.
“Prokurorët e EULEX-it do të hetojnë rrethanat e zhvillimeve në Jarinje. Nga kjo do të varet se cili do të jetë rrethi i hetimit dhe kush do të merret në pyetje”, tha zëdhënësi.
Ai shtoi se aksioni është pjesë e operacionit të përbashkët me EULEX-in. EULEX dhe KFOR kanë kryer aksionin e përbashkët të vënies nën kontroll të kalimit pranë Jarinjës.
Përleshja nisi pasi KFOR-i bllokoi rrugën alternative të cilën serbët lokalë e kishin hapur ilegalisht për qarkullimin e njerëzve dhe mallrave.
Pas bllokimit të rrugës serbët e revoltuar nisën të gjuanin me gurë në drejtim të ushtarëve të KFOR-it, që u kundërpërgjigj duke hedhur gaz lotsjellës dhe duke përdorur plumba gome.
Bashkimi Europian e dënoi fuqishëm incidentin dhe bëri thirrje për përmbajtje nga të gjitha palët, ndërkohë që shprehu përkrahje të plotë ndaj forcave të KFOR-it dhe misionit të BE-së për të hequr barrikadat serbe.
Top Channel