Moska zyrtare ka shprehur shqetësim lidhur me dhunën që sipas saj po ushtrohet ndaj komunitetit serb në veri të Kosovës.

“Jemi të shqetësuar për dhunën e forcave të KFOR-it ndaj banorëve serbë dhe vecanërisht për informacionet në lidhje me hapjen e zjarrit ndaj një autoambulance që transportonte të plagosur serbë”, thuhet në një komunikatë të Ministrisë së Jashtme ruse.

Qeveria ruse i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar, në vecanti KFOR-it dhe EULEX-it, që të zbatojnë parimin e neutralitetit.

Edhe ditën e martë, Moska zyrtare, përmes ambasadorit të saj në Beograd, shprehu mbështetjen për Serbinë lidhur me cështjen e Kosovës.

Ambasadori Aleksandr Konuzin deklaroi se problemet duhet të zgjidhen përmes bisedimeve, nga të cilat të dalin zgjidhje në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

“Qëndrimi i Rusisë mbi Kosovën është i palëvizshëm. Ashtu si dhe Serbia, ne angazhohemi që ky problem të zgjidhet në bazë të së drejtës ndërkombëtare, në përputhje me vendimet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, deklaroi Konuzin.

Diplomati rus kritikoi faktorin ndërkombëtar se mbështet palën kosovare, ndërkohë që sipas tij ai duhet të ketë një rol neutral.

“Për fat të keq, pala tjetër dhe ata që e mbështesin atë, kanë qëndrime të ndryshme, që nuk janë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe marrëveshjet e arritura në dialog”, tha Konuzin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA