Midis mafies dhe ndotjes akustike

28/09/2011 00:00

Ilir Yzeiri- Shpeshherë, kur ndien se nuk ke asnjë lidhje me gjithë sa
thuhet e bëhet në këtë vend, gjithmonë kur të mbyt zhurma e bezdisshme, e
mërzitshme dhe shurdhuese e fjalëve që nxjerrin nga goja ata që
gënjejnë këtë vend, ata që e kanë kthyer në një vend të dhunshëm këtë
tokë, ata që, tash së fundi, edhe duan ta kthejnë në një kazan të madh
plehrash, pra, sa herë që kujtohem se në cilin vend jetoj, mundohem të
mos e mbaj mend vitin, muajin apo ditën në të cilën ndodhem.

Ashtu i përhumbur dal nga shtëpia dhe sapo kam vendosur që të mos krijoj asnjë lidhje me këtë vend, hundët më shpohen nga era e rëndë e fekaleve që vjen nga një pusetë e ujërave të zeza që është bllokuar qysh atë ditë kur kryetari i sotëm i bashkisë mori mandatin në gjykatë dhe u ul në karrigen e kryetarit. Nuk më kujtohet nëse puseta në pallatin poshtë pallatit tim, pra pesëdhjetë metra larg hyrjes sime, u bllokua para therjes së dashit apo pas kurbanit që bekoi hyrjen në Bashkinë e Tiranës të Lulzim Bashës.

Mbaj mend se era e fekaleve që mbulon rrugën ku unë duhet të kaloj dhe ajri i ndotur më përziheshin ato ditë edhe me shtërzimet e dashit të mjerë që u ther në këmbë të bashkisë, pranë Xhamisë së “Et’hem Beut” dhe rrëzë orës së madhe me stil venecian. Nëse kam vendosur që të shpëtoj nga ndotja akustike, pra nëse kam vendosur që të mos dëgjoj më as edhe një lajm në shqip, të mos ndez më as televizor as radio, përsëri e kam të pamundur të arratisem përfundimisht nga ky vend, që sa vjen dhe po i dorëzohet mafies.

E kam të vështirë, sepse siç ua thashë pak më sipër, një pusetë nxjerr ujërat e zeza që nga dita kur Luli i Bashkisë u ul në karrigen e kryetarit. Unë e di që nuk ka asnjë lidhje mes datës se shugurimit të Lulzim Bashës si kryebashkiak dhe pusetës që unë duhet të kaloj sapo dal nga shtëpia. Unë e di që mes erës së fekaleve që del nga puseta e bllokuar dhe ditës kur Lulzim Basha u bë kryetar nuk ka as edhe një lidhje. E vetmja lidhje, dhe kjo krejt e rastësishme, është buzëqeshja proverbiale e Lulit dhe buzëqeshja e fqinjëve të mi. Pallati që vuan nga bllokimi i pusetës është poshtë pallatit tim dhe puseta është në buzë të rrugës. Sa herë që kaloj andej, cilindo banor që gjej aty, e pyes: po hë mo, akoma nuk e zgjidhët? Po u mbytëm o rob të allahut, u them me shaka. Ata qeshin. Nuk më thonë asgjë. Ulur në bordurat e pallatit përballë, vetëm tre-katër metra larg pusetës, ata më buzëqeshin.

Tymosin cigaret dhe më buzëqeshin. Asnjë fjalë. Është e njëjta buzëqeshje si ajo e Lulit. Sapo largohem nga zona e erës së tmerrshme të fekaleve, harroj, dhe ashtu siç na ndodh kur na fiksohet ndonjë këngë e shëmtuar dhe na shpon si turjelë në tru, edhe unë, për ta larguar erën e keqe të pusetës, e hedh mendjen në vise të largëta. Nis të rikujtoj një artikull për neutrinot, për këto thërrmijëza që kanë tronditur fizikën dhe që arrijnë të lëvizin me shpejtësi më të madhe se drita. Një studiues i quante ato të burgosura nga drita. Arsyetimi ishte pak më i sofistikuar.

Ai thoshte se neutrinot, ashtu si gjithë materia e njohur deri më sot, janë të burgosura të dritës, meqenëse drita ka shpejtësinë më të madhe dhe atë nuk e kapërcejmë dot. Këto thërrmijëza u arratisën nga burgu i dritës, thoshte ai studiues në mënyrë metaforike.

Mirëpo, meqenëse meditimi është kontrastues dhe ashtu siç të ndodh me ato këngët e shëmtuara që ti i ke dëgjuar në ndonjë bar, po ashtu edhe mua përkundër dritës dhe si kontrast i saj, më vjen ndërmend errësira dhe puseta, ujërat e zeza dhe burgu i madh i zi në të cilin jemi zhytur të gjithë. Në kontrast me burgun e dritës nis e mendoj me ngjyrë të zezë dhe… më kujtohet gjyqtari Konomi. Ende asnjë pistë, ende as edhe një i dyshuar. Krimi makabër thuajse është harruar.

Gjykata e Lartë, ndërkohë, ka njoftuar se videoja e Ilir Metës do të ekspertohet nga disa ekspertë pa licencë. Një video tjetër skandaloze pritet të bëhet publike. 21 janari është harruar dhe një i burgosur del nga burgu, sepse është “daja” i kryeministrit. Një tjetër skandal ka plasur. Dhe është përsëri në qendër ai, Ilir Meta. Azotiku i Fierit po mblidhet e po dërgohet për skrap në mënyrë mafioze.

Dhe si për t’i vënë kapak të gjithave, A.Frangaj, pronari i “Klanit”, deklaron se kjo qeveri ka dështuar në mënyrë spektakolare me legalizimet dhe akuza tjetër është vërtet e rëndë. Kjo qeveri, tha Frangaj, nuk kontrollon territorin. Ky vend është pa zot. Akuza, edhe sikur të jetë e llogaritur, është megjithatë e rëndë. Frangaj është rreshtuar në krah të Sali Berishës dhe e ka vënë linjën editoriale të mediave të tij në shërbim të qeverisë. Deklarata e Frangajt, edhe sikur të jetë taktikë e Berishës, është shumë e rëndë. Ajo dëshmon se mafia nuk ka më rregull, se hierarkia është prishur, se ky vend po noton si një anije pa busull dhe se dhjetë pikat e Edi Ramës nuk e shërojnë dot këtë vend.

Mirëpo, java mbyllet dhe ndërsa ti kërkon që të mos merresh me këtë vend, të tjera ndotje akustike derdhen mbi trutë e tu. Tani të gjithë janë bërë opinionistë, dhe për këtë vend mund të japin mend të gjithë. Ndërkaq, greva e minatorëve të Bulqizës vazhdon, krime nga më të përbindshmet ndodhin thuajse çdo ditë. Ja, brenda një dite një djalë vret të fejuarën shtatzënë dhe veten. Pastaj në Malësi të Madhe babai vret djalin dhe gazeta italiane, “Corriere della sera” raporton për ngujimin e fëmijëve.Miku im dhe gazetari i talentuar, Mentor Kikia jep alarmin në një shkrim në “Shqip” për këtë fenomen, mirëpo askush nuk reagon dhe në darkë vonë vritet Arian Selimi, i akuzuar si trafikant droge në operacionin “Kompas”, në një pritë tipike mafioze, bash një ditë para se të shkonte në gjykatë.

Ai ishte liruar nga Gjykata e Lartë, nga ajo Gjykatë që do të shpëtojë Ilir Metën nga videoja skandaloze. Ndërkaq, kryeministri i vendit tim, që jeton në Shqipërinë që ka krijuar virtualisht në mendjen e tij, flet si në përrallë. Përdor leksik nacional-romantik me miss-e e të bukura të dheut dhe harron se është kryeministër i të gjithëve dhe jo vetëm i familjes së tij. Mirëpo, unë duhet të kthehem në shtëpi dhe ashtu në përhumbje e sipër më kujtohet një analizë tjetër e një gazetari të huaj, i cili, ashtu si shumë kolegë të tij, merret këto ditë me krizën e neoliberalizmit. Ai thotë se neoliberalizmi është futur në një krizë të thellë, se ai ka krijuar individin e izoluar dhe tregje financiare të çrregullta, të shkatërruara. Sot në qendër të botës është njeriu i vetmuar dhe në borxh nga njëra anë, dhe më i forti, ai që shfrytëzon tregjet dhe kapitalizmin për t’u pasuruar, nga ana tjetër. Sot bota zotërohet nga ‘homo economicus’, thotë një sociolog. Jo, përgjigjet një tjetër, sot zotëron ‘homo debitor’. Shteti nuk merr përsipër asgjë. Mendoni, në një vend si ky yni ku shteti është vënë në shërbim të më të fortit, të hajdutit dhe mafiozit dhe të dy bashkë vjedhin dhe pasurohen, ndërsa minatorët e Bulqizës kanë tre muaj pa marrë rrogën. Kjo shoqëri e egër dhe cinike që po ndërtohet e bën më të rëndë ajrin që thithim. Mirëpo, po i afrohem shtëpisë dhe më duhet të ndiej përsëri erën e rëndë të fekaleve që del nga puseta e cila plasi ditën që Lulzim Basha u ul në karrigen e kryetarit të Bashkisë.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta