Përvec disa takimeve bilaterale Prishtinë-BE dhe Beograd- BE, raundi i shtatë i bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, pasi u shty për disa orë, pritet të mbahet të mërkurën paradite në Bruksel.

Në këtë takim, Prishtina synon t’i kërkojë Bashkimit Europian të vleresojë me raport sesi i zbaton marrëveshjet e këtij dialogu secila palë, e që ky raport të kushtëzojë integrimin europian më pas për bllokuesit.

“Të bëhet një raport nga ana e Bashkimit Europian për vlerësimin e këtij procesi. Të identifikojë ngecjet si dhe të bëjë vlerësimin e performancës të palëve dhe në raport me të reflektojë edhe progresin drejt Bashkimit Europian”, deklaron, kryenegociatorja për palën kosovare, Edita Tahiri.

Qeveria e Kosovës vlerëson se Serbia nuk ka respektuar në kohë marrëveshjet e arritura deri tani nga ky dialog, vecanërisht mbi tregtinë dhe vulat doganore. Zyrtarisht, lajmërohet se palët do të bisedojnë kësaj radhe mbi pjesëmarrjen e Kosovës në tryezat e bashkëpunimit rajonal, si dhe për energjinë dhe telekomin.

“Në bazë të shenjave që kemi nga zoti Kuper, pala serbe vazhdon të mos jetë e gatshme për marrëveshjen për energjinë dhe për telekomin”, shton zonja Tahiri.

Për shkak të vonesave dhe shtyrjeve për mbajtjen e takimit, nuk dihet nëse bisedimet do të përfundojnë apo jo, ashtu sic ishte parashikuar, mesditën e të mërkurës.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA