Ahmet Prishtina është vetëm njëri nga 40 punonjësit të cilët u sulmuan mëngjesin e së mërkurës teksa po pastronin lumin Ibër, përkatësisht në lagjen e boshnjakëve në veri të Mitrovicës.

Dëshmitarë të ngjarjes treguan për Top-Channel tmerrin që panë me sy kur serbët mbërritën në vendngjarje dhe sulmuan me granata dhe kallashnikov.

“Disa ikën, u futën në ujë, disa të tjerë s’dinin nga të shkonin. Ne shkuam t’i ndihmonim për të dalë nga uji”, tregon Ahmet Prishtina.

“Aksioni i tyre zgjati 3-4 minuta, me sharje dhe fyerje. Ata mbanin maska. I kishin vënë si kapele, por pastaj i ulën”, shprehet dëshmitari tjetër, Avni Beqiri.

Sipas dëshmitarëve, policisë dhe punëdhënësve, punonjësit ishin të të gjitha komuniteteve. Në kohën e incidentit ata po punonin në një projekt të USAID, i cili kishte për qëllim pastrimin e lumit.

Të paktën 7 punëtorë shqiptarë janë lënduar dhe po trajtohen për plagë të marra me mjete të forta. Menaxheri i projektit konfirmon se, për këtë projekt kishte konkurruar edhe një qytetare serbe e quajtur Olivera Antic.

Sipas tij, edhe punonjësit aktualë që u lënduan kohë më parë ishin në shërbim të saj, mirëpo për shkak të kushteve më të mira të punës ata janë larguar. E mes sulmuesve, dëshmitarët thonë se kanë parë djalin e pronares së kompanisë serbe.

Policia e Kosovës thotë se në vendin e ngjarjes janë gjetur gëzhoja të plumbave, por besojnë se arsyet e sulmit nuk janë ndëretnike.

Si pistë të parë policia është duke hetuar ndaj Olivera Antic, e cila sipas tyre kishte konkurrar në tender për pastrimin e lumit Ibër, por këtë e kishte fituar tenderuesi shqiptar.

“Gëzhoja që mund të konfirmojnë akuzën janë gjetur në vendin e ngjarjes. Mendohet se mund të jetë implikuar një kompani për fitimin e tenderit”, deklaroi Besim Hoti, zëdhënës i Policisë në Mitrovicë.

Menjëherë, në një deklaratë për shtyp, ambasada amerikane në Prishtinë e dënoi fuqishëm këtë incident, duke e cilësuar si një sulm të kryer nga personat të cilët ndjekin axhendën politike të së kaluarës dhe të cilët minojnë mirëqenien publike.

“Ambasada e SH.B.A.-ve e dënon fuqishëm dhunën e sotme të drejtuar ndaj grupit multietnik të 41 punëtorëve, të cilët ishin të punësuar në projektin e përkrahur nga USAID për  për krahjen dhe përmirësimin e jetesës së komuniteteve në Mitrovicën veriore”, thuhet në një komunikatë.

Më tej në komunikatë theksohet se viktimat e sulmit ishin serbë dhe shqiptarë të Kosovës, boshnjakë dhe të tjerë dhe të gjithë ata ishin thjesht qytetarë të cilët punonin për bukën e gojës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA