Parlamenti grek ka votuar me shumicë votash, 155 nga 297 deputetë të pranishëm, ligjin e ri kaq të përfolur të tatimit mbi shtëpitë dhe pronat.

Megjithëse kishin shfaqur pakënaqësinë e tyre, deputetët socialistë kanë votuar pro këtij ligji të ri që ka ngjallur reagime tepër të mëdha në Greqi dhe është quajtur si një prej haraçeve më të mëdha që u ka vënë qeveria Papandreu qytetarëve grekë.

Votimi i ka dhënë fund skenarëve për humbjen e votëbesimit të qeverisë në parlament dhe si rrjedhim edhe zgjedhjeve të parakohëshme.

Nga ana e qeverisë ai është komentuar si një prej kushteve që i hap rrugë vizitës së përfaqësuesve të FMN, BE dhe BQE, e ashtuquajtura “Trojka”, e cila pritet të vizitojë Athinën në orët e ardhshme për të dhënë ose jo dritën jeshile ndaj lëvrimit të këstit të gjashtë të ndihmës, kaq jetike për vendin.

Më herët në një konferencë shtypi Ministri grek i Financave EvangelosVenizellos deklaroi se qeveria është në dijeni të masave të rrepta që ajo shpall dhe merr pjesë në dhimbjen e qytetarëve.

“A ekziston qoftë edhe një qytetar i vetëm grek, që beson se ne mund të merrnim vendime të tjera, më miqësore dhe më pak të vështira, pa rrezikuar vendin, pronën, punët, të ardhurat, si dhe perspektivat e grekëve dhe nuk kemi marrë ato?! A ekziston dikush që beson se ne nuk do të donim të ishim të pëlqyeshme nga të gjithë?”, thotë EvangelosVenizellos, Ministër i Financave.

Kundër ligjit kanë votuar të gjitha partitë e opozitës, ndërsa ndërtesa e parlamentit ka qenë e rrethuar nga mijëra pjesëtarë të Lëvizjes së të Indinjuarve që protestonin duke mbajtur pankarta dhe duke hedhur parrulla kundër ligjeve për taksat e reja financiare. Protesta janë zhvilluar gjatë gjithë ditës së martë jo vetëm në Athinë por edhe në Selanik.

Por qeveria Papandreu e ndodhur në presionin e partnerëve europianë shprehet e vendosur të cojë deri në fund reformat e saj dhe t’i zbatojë ato për një kohë të shkurtër duke filluar me shkurtimet e mijëra vendeve të punës në aparatin shtetëror, duke mbledhur sa më shumë të ardhura nga masat e reja financiare që ajo ka shpallur si dhe nga privatizimet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA