Zëdhënësi i EULEX-it, Nicholas Hawton, ka thënë se prokurorët e misionit
të BE-së do të hetojnë ngjarjet në pikëkalimin e Jarinjes.

“Prokurorët e EULEX-it do të hetojnë rrethanat e zhvillimeve në Jarinje. Nga kjo do të varet se cili do të jetë rrethi i hetimit dhe kush do të merret në pyetje”, tha zëdhënësi, i cili shtoi se aksioni është pjesë e operacionit të përbashkët me EULEX-in. EULEX dhe KFOR kanë kryer aksionin e përbashkët të vënies nën kontroll të kalimit pranë Jarinjës.

Të martën, pas një përleshjeje mbetën të plagosur katër ushtarë të KFOR-it dhe disa serbë. Kjo përleshje nisi pasi KFOR-i kishte bllokuar rrugën alternative të cilën serbët lokalë e kishin hapur ilegalisht për qarkullimin e njerëzve dhe mallrave.

Pas bllokimit të rrugës serbët e revoltuar kishin nisur të gjuanin me gurë në drejtim të ushtarëve të KFOR-it, ndërsa është raportuar edhe për të shtëna me armë zjarri në drejtim të tyre. Gurëve KFOR-i iu është kundërpërgjigjur duke hedhur gaz lotsjellës dhe duke përdorur plumba gome.

Bashkimi Europian e ka dënuar fuqishëm incidentin e së martës në veri të Mitrovicës. Pak orë pas përleshjeve ndërmjet KFOR-it dhe serbëve në afërsi të pikës kufitare në Jarinjë, BE-ja bëri thirrje për përmbajtje nga të gjitha palët, ndërkohë që shpreh përkrahje të plotë ndaj forcave të KFOR-it dhe misionit të BE-së (EULEX) për të hequr barrikadat serbe dhe qetësuar situatën.

Tadic: KFOR, dhunë ndaj serbëve

Serbia konsideron se situata në veri është një dhunë ndaj serbëve të atjeshëm. Politikanët serbë kanë reaguar duke dënuar ngjarjet e reja në këtë zonë.

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, në një deklaratë për agjencinë shtetërore Tanjug, ka theksuar se KFOR-i është aty për të mbrojtur qytetarët duarthatë dhe jo të përleshet me ta dhe se ushtarët duhet të jenë neutral në këto momente.

Tadiç ka ftuar për qetësimin e situatës, duke u shprehur se nuk ka asnjë gjë që mund të shfajësoj veprimet e KFOR-it, e që paraqitet si një dorë e zgjatur e Prishtinës.

“E kritikoj ashpër përdorimin e dhunës ndaj qytetarëve dhe apeloj tek bashkësia ndërkombëtare dhe forcat ndërkombëtare të mos përleshen me serbët në veri të Kosovës e Metohisë”, ka thënë Tadiç në një deklaratë.

Mediat serbe kanë raportuar ndryshe nga mediat e Kosovës dhe sipas tyre në veri të Kosovës janë lënduar gjashtë serbë pasi KFOR-i ka përdorur dhunë dhe plumba goma kundër tyre.

Ndërsa rastin e ka dënuar edhe ministri për Kosovën, Goran Bogdanoviç, i cili ka theksuar se kjo nuk i ndihmon paqes dhe stabilitetit.

Kurse ministri i Policisë, Ivica Daçiç, e ka quajtur turp për bashkësinë ndërkombëtare atë që ka ndodhur në Kosovë dhe, sipas tij, Serbia do të kërkoj urgjentisht që të definohen qëndrimet e ndërkombëtarëve në Kosovë.

Partitë opozitare kanë kritikuar KFOR-in, por edhe disa prej tyre, kanë thënë se Serbia do të duhej të ndryshojë politikën e saj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA