
Ministri jemenas i Mbrojtjes i ka shpëtuar një atentati ndaj autokolonës së tij në qytetin jugor të Adenit.
Lajmin e bëjnë të ditur autoritetet lokale, sipas të cilave një makinë-bombë shpërtheu pranë autokolonës së Mohamed Nasser Ali, duke plagosur disa ushtarë.
Ndërkohë, burime të tjera deklarojnë se ndaj karvanit të makinave janë hedhur edhe granata dore.
Në Jemen ka pasur një rritje të dhunës për shkak të luftimeve mes kundërshtarëve dhe mbështetësve të presidentit Ali Abdullah Saleh, në kryeqytetin Sana.
Saleh, që mbeti i plagosur në qershor, u rikthyer në vend ditën e premte.
Detajet mbi ngjarjen e së martës nuk kanë dalë ende, por burime të pakonfirmuara deklarojnë se autobomba u hodh në erë me telekomandë.
Ndërsa të tjerë thonë se bëhet fjalë për një atentator vetëvrasës që përplasi makinën me ato të autokolonës. Megjithatë, ende nuk dihet se kush e ka kryer sulmin.
Në jug të Jemenit forcat e sigurisë kanë luftuar me militantët e Al Kaedës, që kanë përfituar nga destabiliteti i vendit për të zgjeruar aktivitetin e tyre.
Top Channel