Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani ka kërkuar ndryshime në ligjin për shërbimin civil.
Gjatë një takimi të nivelit ministerial të bordit drejtues të Shkollës Rajonale të Administrimit Publik, Nishani deklaroi se, duhet reformë në administratën publike për të përmbushur kështu një nga 12 pikat e Bashkimit Europian për fitimin e statusit kandidat në BE.
“Të kryhen hapat thelbësorë të reformës në administratën publike, përfshi ndryshimet në ligjin për shërbimin civil dhe forcimin e Departamentit të Administratës Publike, me synim që të rritet profesionalizimi dhe depolitizimi i administratës publike, si edhe të forcohet qasja që emërimet dhe ngritjet në detyrë të bazohen në transparencë dhe merita”, është shprehur Nishani.
Shkolla rajonale e administratës publike është një projekt i Bashkimit Europian që synon përmirësimin e kapaciteteve të administratës publike të vendeve të Ballkanit që synojnë anëtarësimin në BE.
Top Channel