Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj pritet të takohet me zyrtarë të shteteve të tjera që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës.
Sipas mediave kosovare, Hoxhaj do të takohet me ministrin e Punëve të Jashtme të Pakistanit, atë të Irakut dhe të Jemenit.
Kryediplomati kosovar do të kërkojë nga homologët që këto vende ta njohin sa më parë pavarësinë e Kosovës.
Gjithashtu, gjatë qëndrimit në Nju Jork, ministri Hoxhaj do të ketë takime edhe me përfaqësuesit e disa shteteve të Amerikës Latine dhe të Karaibeve.
Bregu i Fildishtë njeh Kosovën
Bregu i Fildishtë është shteti i 84 që e ka njohur Republikën e Kosovës.
Njohja nga Bregu i Fildishtë i është komunikuar zëvendëskryeministrit Pacolli, i cili ishte i shoqëruar nga ministri i punëve të jashtme, Enver Hoxhaj, nga presidenti i Bregut të Fildishtë, Alassane Ouattara, në një takim shumë miqësor në Nju Jork.
Egjipti do njohë së shpejti Kosovën
Ministri i Jashtëm kosovar, Enver Hoxhaj, i cili këto ditë po viziton Kajron, ka deklaruar se ka marrë premtim nga Egjipti se do të njohë së shpejti pavarësinë.
Gjithashtu, i cituar nga mediat kosovare, Hoxhaj ka bërë të ditur se ka marrë mbështetje nga përfaqësues të Organizatës së Ligës Arabe, nga 22 vende të të cilës, 10 kanë njohur sovranitetin e Kosovës.
Hoxhaj është takuar me sekretarin e përgjithshëm të organizatës, Nabil Al Arabi, i cili e ka garantuar se njohja nga 12 vendet anëtare do të vijë së shpejti.
Ndërsa në një takim të zhvilluar me kandidatin për president të Egjiptit, Amr Moussa, Hoxhaj ka marrë garanci për njohjen, menjëherë pas mbajtjes së zgjedhjeve demokratike në këtë vend.
Hoxhaj takon përfaqësues të KKT
Gjatë qëndrimit të tij në Egjipt, ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj është takuar me përfaqësues të Këshillit Tranzitor të Libisë.
Në këtë takim, ministri i ka informuar ata për vendimin e Republikës së Kosovës, që të pranojë këtë Këshill si autoritetin e vetëm qeverisës në Libi.
Nga ana tjetër, Faiz Jibril, përfaqësues i kongresit popullor të Libisë, ka thënëse politika e Gaddafi-t tashmë ka marrë fund në Libi.
Ai ka shtuar se Gaddafi asnjëherë nuk ka përfaqësuar mendimin e shumicës së popullit, por gjithmonë interesat personale.
“Libia është vonuar me njohjen e pavarësisë së Kosovës. Kjo ka qenë njëra nga katastrofat më të mëdha të Gaddafi-t. Jam pajtuar me ministrin Enver Hoxhaj që të fillojmë vendosjen e kontakteve për të arritur deri te njohja”, ka thënë ai.
Në ditën përmbyllëse të vizitës në Egjipt, shefi i diplomacisë kosovare ka zhvilluar një sërë takimesh me përfaqësues të partive politike, liderë shpirtëror dhe përfaqësues të shoqërisë civile të Egjiptit.
Kosova, nga sa kanë raportuar në ditët e fundit mediat lokale, është njohur nga shtetet afrikane të Gibonit, Arika Qendrore, Guinea Konakri, Benini dhe Nigeri.
Ndërkohë, misteri mbetet mbi Nigerinë, për të cilën u tha se e njohu pavarësinë, por më vonë u përgënjeshtrua.
Top Channel