Qytetarët e Bosnje e Hercegovinës do të mund të përballen sërish me regjimin e vizave për të udhëtuar në vendet e Bashikimit Evropian.
Shkak për këtë është bërë numri i madh i azilkërkuesve nga vendi ballkanas në vendet evropiane që nga nëntori i 2010-ës.
Lajmi është konfirmuar nga Michele Cercone, zëdhënës i komisioneres së BE-së për Cështjet e Brendshme, Cecilia Malmstrom.
“Nëse shtetet nuk i përmbushin detyrimet dhe nuk përgjigjen ndaj shqetësimeve të bllokut evropian në lidhje me rritjen e numrit të kërkesave të pabazuara për azil, atëherë ka rrezik të kërcënohet suksesi i heqjes së regjimit të vizave”, ka deklaruar Cercone.
Më herët gjatë muajit Brukseli i bëri një tjetër paralajmërim Bosnje e Hercegovinës, se mund të humbasë fondet prej 96 milionë eurosh të BE-së për shkak të krizës politike.
Andy McGuffie, zëdhënës i misionit të BE-së në Sarajevë, deklaroi se tensionet rrezikojnë ndihmën e parashikuar për qeveritë rajonale, që ka si synim mbështetjen për harmonizimin e legjislacionit të tyre me ato të vendeve të BE-së.
Tensionet e vazhdueshme mes dy republikave të Bosnjes, ajo Myslimano-Kroate dhe Republika Serbe, kanë bërë që të zvarriten reformat jetike për integrimin si dhe formimin e qeverisë qendrore, kur kanë kaluar 11 muaj nga zhvillimi i zgjedhjeve.
Ajo cka rëndon edhe më tej pozitën e Bosnje e Hercegovinës është prirja e liderit serb Milorad Dodik për shkëputjen e Republikës Serbe.
Pavarësisht presioneve të shumta të faktorit ndërkombëtar, i cili druhet se një gjë e tillë do të kishte një efekt domino, Dodik duket se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga deklaratat e tij nacionaliste.
Top Channel